Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Aktuale July 09, 2024 - 08:53

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në Hagë sot për të gjashtën ditë me radhë pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializua (ZPS), Bislim Zyrapi.

Pjesa e dytë e seancës së djeshme, në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nuk është mbajtur. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha se ajo shtyhet për të martën (sot).

Bislim Zyrap,i në ditën e katërt të dëshmisë, vazhdoi të përgjigjet në pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, lidhur me ecurinë e luftës në Kosovë, përfshi pyetje konkrete lidhur me funksionin e tij dhe të Hashim Thaçit përgjatë kësaj periudhe, por edhe të Kadri Veselit.

Gjatë seancës së djeshme, duke u përgjigjur në kundërpyetjet e avokatit të Veselit, Ben Emmerson, dëshmitari Zyrapi tha se Drejtoria e Zbulim-Kundërzbulimit u krijua me ristrukturimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në nëntor të 1998-ës, e që në krye të saj u vendos Kadri Veseli.

Në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët” për këtë javë pritet të mbahen katër seanca, raporton RTKlive.

Ndryshe, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë është miratuar kërkesa e mbrojtjes së Rexhep Selimit që disa prova në lidhje me një dëshmitar të përjashtohen nga procesi gjyqësor pasi trupi gjykues kishte konstatuar se kishin efekt dëmtues të konsiderueshëm për të akuzuarin.

Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm.