“Sytë e mbuluar me shami e duart e lidhura me tel”, Blakaj tregon për rastin e vëllezërve Bytyqi
Foto: Laura Hasani

“Sytë e mbuluar me shami e duart e lidhura me tel”, Blakaj tregon për rastin e vëllezërve Bytyqi

Aktuale July 08, 2024 - 21:22
Vrasja e vëllezërve Bytyqi, Blakaj: Radosavleviqi ishte i përfshirë edhe në krime tjera si ai në Reçak e Prekaz, por s’ka pasur hetim ndaj tij

Ishte 8 korriku i vitit 1999, ku mbetën të vrarë Yll, Agron e Mehmet Bytyqi.

Tre vëllezërit ishin arrestuar nga shteti serb në fund të qershorit të vitit 1999, pasi kishin kaluar gabimisht kufirin teksa po përcillnin një familje rome nga Prizreni drejt Serbisë. Gjatë paraburgimit, ata u zhdukën e më pas trupat e tyre u gjetën më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë Lindore.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë që kanë kërkuar që ky rast të zbardhet në procese gjyqësore.

“Ne kemi kërkuar që të zbardhet ky rast në procese gjyqësore kishte një proces gjyqësor ndaj dy policëve të cilët pastaj janë liruar, pra ata i kanë marrë nga burgu i Prokuples dhe i kanë dërguar në Petrovo Selo prej gjykatës, pra anëtarët e panelit kanë gjetur se ata nuk kanë qenë përgjegjës, atyre u është dhënë urdhër që t’i marrin nga burgu dhe t’i sjellin te kjo bazë policore dhe nuk ka pasur një aktgjykim dënues,” tha Blakaj, në RTV Dukagjini.

Blakaj thotë se për Goran Radosavleviq, i cili është i njohur edhe për krime të tjera e poashtu i përfshirë edhe në rastin e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, nuk ka pasur hetim.

Ai shton se duket qartazi që Goran Radosavleviq ka përkrahjen politike të Vuçiqit.

“Për fat të keq në asnjë rast edhe në krime tjera ku Goran ka qenë i përfshirë duke përfshirë edhe Prekazin, Reçakun dhe shumë masakra tjera e duke përfshirë edhe rastin e vëllezërve Bytyqi ku ai duhet të jetë drejtpërdrejt përgjegjës nuk ka pasur një hetim, është për keqardhje, ai ishte ftuar si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj policëve e asnjëherë si i dyshuar apo i akuzuar, është e qartë ka mbrojtjen politike edhe ditëve të sotme sepse ai është anëtar i partisë së presidentit të Serbisë, Vuçiqit,” shtoi Blakaj.

Ndërsa për vrasjen e tre vëllezërve, Blakaj thotë se ka pasur presion të madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Serbisë, por nuk ka pasur asnjë rezultat.

“Për këtë rast mendoj që ka pas edhe presion të jashtëzakonshëm edhe nga SHBA dhe nuk ka dhënë rezultat, shpesh zyrtarë të lartë amerikanë që sa herë e kanë vizituar Serbinë e kanë pasur temë zbardhjen e këtij rasti, mirëpo përtej premtimeve që janë dhënë edhe nga Vuçiq, edhe nga Daçiq, deri më tani nuk ka një proces të duhur gjyqësor për zbardhjen e këtij rasti.”