Osmani, pjesëmarrëse në Samitin e NATO-s në Washington D.C. me ftesë të sekretarit Blinken

Osmani, pjesëmarrëse në Samitin e NATO-s në Washington D.C. me ftesë të sekretarit Blinken

Aktuale July 08, 2024 - 14:41

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Washington D.C., me ftesë të sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga Zyra e Presidencës.

“Duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.

Kjo mundëson krijimin e partneriteteve të reja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende ne nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja”, thuhet në njoftim.

Gjatë qëndrimit në Washington D.C., Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera, ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë.

“Kujtojmë se Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve globalë nga Zyra e sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Marrëveshja për themelimin e kësaj qendre është nënshkruar nga presidentja Osmani dhe Zyra e Sekretarit Blinken në prill 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Samiti i NATO-s në Washington D.C. shërben si një platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë në çështjet urgjente të sigurisë globale dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt”, thuhet në njoftim.