KQZ-ja ia heq Alfred Belerit mandatin e kryebashkiakut të Himarës

KQZ-ja ia heq Alfred Belerit mandatin e kryebashkiakut të Himarës

Aktuale July 05, 2024 - 12:31

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri (KQZ) njoftoi të premten se ia ka hequr Alfred Belerit mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, pasi Gjykata e Apelit e mbajti në fuqi dënimin e tij me burgim muajin e kaluar.

“Jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat”, tha të premten Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së.

Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, i fitoi zgjedhjet e majit 2023 si kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës - qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë.

Por, ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash dhe u dënua me dy vjet burgim në mars. Apeli e konfirmoi dënimin e tij në qershor.

Beleri ishte i pranishëm në seancën që u zhvillua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të premten. Ai u përcoll nga forcat e policisë nga burgu i Fierit, ku po e vuan dënimin me dy vjet burgim për vjedhje votash.

Ai bëri thirrje që çështja e vlefshmërisë së mandatit të tij të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

"Jam i qartë që mandati im si kryetar bashkie ka mbaruar, por duket qartë arroganca e tyre që t’i bëjnë votimet në gusht. Pse KQZ-ja t'i bashkohet kësaj kërkesë. Kam frikë se gjysma e bashkisë do të verë në burg", tha Beleri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ta shqyrtojë vlefshmërinë e mandatit të kryebashkiakut të Himarës, pas një kërkese të dorëzuar nga kryetari i forumit të të rinjve socialistë të Himarës.

Ekipi mbrojtës i Belerit ka një muaj kohë për t’u ankuar ndaj vendimit vendimin në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.