“17 policë e çetnikë më dhunuan, më thanë se nesër vijnë prapë” - dëshmia e parë e Vasfije Krasniqit dhënë UÇK-së
Foto: Laura Hasani

“17 policë e çetnikë më dhunuan, më thanë se nesër vijnë prapë” - dëshmia e parë e Vasfije Krasniqit dhënë UÇK-së

Aktuale July 05, 2024 - 10:22

Ishte mesi i prillit i vitit 1999 kur ajo u përball me ngjarjen më të rëndë në jetën e saj.

Vasfije Krasniqi, atëbotë 16-vjeçare, po rrinte me familjen e saj në Stanoc kur policë e paramilitarë u futën në shtëpi dhe me dhunë morën atë për ta dërguar drejt Milloshevës.

Në një shtëpi të braktisur të këtij fshati të banuar kryesisht me serbë 17 paramilitarë e futën 16-vjeçaren dhe e dhunuan deri në alivanosje. Me pas çmenduria serbe mbi vajzën e mitur dhe të pambrojtur vazhdoi edhe në fshatin Babimoc.

Në gjendje të rënduar fizike dhe psikike, ata që e dhunuan e sollën Vasfijen në udhëkryqin afër shtëpisë e hodhën nga vetura me porosinë “nesër vijmë prapë dhe të marrim”.

Nga frika se situata mund të përsëritet dhe e tronditur nga ajo çka kishte përjetuar, Vasfije Krasniqi shkon drejt në shtabin e UÇK-së dhe e lajmëron rastin.

Portalimagazina.com ka siguruar dëshminë e Vasfije Krasniqit dhënë komandantit Osman Musliu.

Raporti i Musliut, i shkruar në bazë të dëshmisë që ka dhënë Vasfija në shtabin e UÇK-së me datën 16 prill 1999, ka 7 rreshta:

“14.04.1999, Vasfije Shaip Krasniqi nga Stanoci i Ulët

Policia serbe hyn në shtëpinë e Shaip Krasniqit, ku me dhunë morën vajzën e tij Vasfijen 16-vjeçare rreth 19:45 e çuan në drejtim të Milloshevës e pastaj në Babimost. Policia e kanë dhunuar. 17 policë e çetnik deri në alivanosje pastaj ka pësuar trauma psikike. Vajzën e sollën në udhëkryqin afër shtëpisë te varrezat e Stanocit i kanë than nesër vimi prapë e të marrim”.

Image