Rohde: Gjermania e ka bërë të qartë këtë, Radoiçiqi duhet të japë llogari për sulmin terrorist në Banjksë

Rohde: Gjermania e ka bërë të qartë këtë, Radoiçiqi duhet të japë llogari për sulmin terrorist në Banjksë

Aktuale July 05, 2024 - 00:29

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, ka thënë se përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjksë, Milan Radoiçiq, duhet të jap llogari.

Rohde ka theksuar se Gjermania e ka bërë të qartë këtë, dhe nëse ai nuk jep llogari në Serbi, kjo do të paraqesë problem në marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Serbisë.

Ambasadori gjerman ka thënë se ekstradimi i Radoiçiqit në Kosovë është i vështirë.

“Lideri i vetë-deklaruar i këtij grupi, Radoiçiq, ende është në arrati. Ne kemi thënë, e kemi përsëritur, që ai duhet të japë llogari. Ai është i caktuar në shumë vende,ku mbahet përgjegjës. Qartazi është shumë jo-real ekstradimi i tij, por qeveria ime e ka bërë të qartë, pasi ai është në Serbi, ai duhet të japë llogari aty, dhe derisa kjo nuk bëhet, kemi problem në marrëdhënien me Serbinë. Por, Serbisë i mbetet të bëjë këtë, dhe pritjet tona janë të qarta”, ka thënë Rohde në Tëvë 1.

Rohde ka përmendur shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe një kontingjent nga Gjermania pas këtij sulmi si tregues i KFOR-it për të ruajtur sigurinë.

Ai ka thënë se me gjithë këtë forcë të NATO-s në Kosovë e nuk e imagjinon një sulm nga Serbia.

“Nuk jam ekspert ushtarak, por e di që 28 vende nga vendet NATO dhe mike, janë pjesë e KFOR-it, dhe është e paimagjinueshme për mua që mund të ketë ndonjë sulm në Kosovë me këtë prezencë ndërkombëtare”, ka thënë ai. /Tëvë 1