Intervista ende e patransmetuar e Kadaresë: Kosova duket se ecën mirë

Intervista ende e patransmetuar e Kadaresë: Kosova duket se ecën mirë

Aktuale July 04, 2024 - 09:49

Ismail Kadare është në larginë. Tashmë shkrimtari më i madh shqiptar është varrosur me ceremoni shtetërore, pasi vdiq tri ditë më parë. Pas vdekjes së shkrimtarit Kadare, që u cilësua humbje e madhe, janë publikuar disa sekuenca të shkurtra të një interviste ende të patransmetuar.

Pamjet e rralla të asaj që mund të konsiderohet si intervista e fundit e Kadaresë në të gjallë janë publikuar nga televizioni "Top Channel". Gjatë emisionit "Top Story me Grida Dumën" u kuptua se intervistën me Kadarenë e ka realizuar drejtori i informacionit në "Top Channel", Robert Rakipllari, i cili lehtësisht mund të thotë se ka kryer një intervistë tashmë historike.

Tri mesazhet… e shkurtra

Sekuencat e publikuara janë të shkurtra, shumë të shkurtra. Në këto sekuenca shfaqet Kadareja me pamjet e tij tipike: hijerëndë, serioz e me fjali të përzgjedhura ngadalë e me shumë kujdes, pikërisht siç edhe shkruante me hijeshi.

Në këto sekonda të publikuara, Kadareja jep tri mesazhe interesante. E para, duket të jetë një lloj interpretimi për vetë intervistën me Rakipllarin. Sipas Kadaresë, intervista të tilla, pra intervista shumëdimensionale, janë “shumë të vështira”.

“Intervista të tilla janë shumë të vështira, për të mos thënë të pamundura disa herë”, rrëfen Kadareja, transmeton Nacionale.

Mesazhi i dytë është për Kosovën, shtet që e nderoi Kadarenë në të gjallë e në të vdekur. Në këtë intervistë, Kadareja ka një interpretim optimist për Kosovën, të cilit vend i doli zot në shumë raste, posaçërisht gjatë luftës së fundit.

Në intervistë, dalzotësi i Kosovës, pra Kadareja, mendonte se Kosova po ecte mirë.

“Kosova duket se ecën mirë, po shkon aty ku duhet”, thotë Kadareja.

Në këtë shkëputje, Kadareja flet edhe për Shqipërinë, nga e cila ishte arratisur në vitet e 90-a, veprim që kishte bërë bujë të madhe ndërkombëtare. Sipas Kadaresë, Shqipëria është në një periudhë të qartësimit të saj, mesazh që shkrimtari shqiptar e kishte thënë në shumë raste.

Në interpretimin e Kadaresë, Shqipëria është një vend “që del nga harresa”.

“Shqipëria është në një periudhë qartësimi të saj, një periudhë kur përpiqet që ta zërë vendin e saj, një vend që del nga harresa”, vlerëson Kadareja.

Rakipllari e ka treguar ndjësinë e tij për këtë intervistë me Kadarenë.

“Edhe gjatë kësaj interviste donte të ishte në lartësinë që ka qenë gjithnjë. Nuk flas thjesht si admirues i veprave të tij letrare, si lexues që e çmoj shumë shkrimtarin Kadare, por edhe në raportin e një bashkëpunimi të pandërprerë me të që nga viti 2000 e këtej, duke publikuar shkrime, polemika dhe intervista në shtypin e shkruar të cilin e respektonte shumë për peshën e fjalës së shkruar”, ka thënë Rakipllari.

Sjellim ndër mend që dje në Tiranë u mbajt një ceremoni përkujtimore në nderim të figurës së Kadaresë, e cila u organizua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në ditët e fundit, shumë politikanë, intelektualë, shkrimtarë e personalitete të tjera, duke përfshirë ndërkombëtarë, e kanë vlerësuar lart kontributin e Kadaresë në kulturën shqiptare dhe atë botërore.