Shefi i EULEX-it dhe ministrja Haxhiu nënshkruajnë marrëveshje për rritjen e efektivitetit të punës për të pagjeturit

Shefi i EULEX-it dhe ministrja Haxhiu nënshkruajnë marrëveshje për rritjen e efektivitetit të punës për të pagjeturit

Aktuale July 03, 2024 - 16:46

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano dhe Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, nënshkruan sot dy Marrëveshje Teknike që synojnë konsolidimin e vijimësisë së bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet EULEX-it dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), për rritjen e efektivitetit të punës për personat e zhdukur.

Në komunikatën e lëshuar nga EULEX, thuhet se “Marrëveshja teknike ndërmjet EULEX-it dhe IML-së për kryerjen e përbashkët të shqyrtimit të rasteve” përfshin ofrimin thelbësor të ndihmës nga Ekipi i Mjekësisë Ligjore i EULEX-it për IML-në në të gjitha aspektet teknike të kërkimit, zhvarrosjes dhe identifikimit të personave të zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë.

‘Marrëveshja teknike për instalimin e zyrave në kontejnerë në IML për një afat të mesëm’ ka të bëjë me instalimin e përkohshëm të zyrave në kontejnerë nga EULEX-i në IML, si dhe synon të sigurojë vazhdimësi për marrëdhëniet e ngushta të punës ndërmjet Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it dhe personelit të IML-së deri në përfundimin e punimeve për riparimin e objektit IML-së, pasi objekti qe dëmtuar nga zjarri. Zyrat në kontejnerë pritet të vendosen gjatë muajve të ardhshëm, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, marrëveshjet teknike të nënshkruara sot ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të IML-së për kryerjen e punës për personat e zhdukur, siç parashihet nga “Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale 2024-2034” e miratuar së fundmi.

Që nga fillimi i mandatit të tij deri më sot, EULEX-i ka punuar pa pushim për gjetjen dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur tek familjet e tyre, në mënyrë që ata të varrosen me respekt dhe dinjitet. Ekspertët e EULEX-it ofrojnë ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varreve klandestine apo të pashënuara, si dhe zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga lufta e Kosovës dhe periudhën menjëherë pas saj. Misioni gjithashtu e mbështet IML-në për analizimin e mbetjeve mortore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës.

Në veçanti, që nga viti 2009, ekspertët e EULEX-it kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në 806 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 210 zhvarrime. Mbetjet mortore të 507 personave janë identifikuar, duke përfshirë 348 persona të zhdukur.

EULEX-i vazhdon të jetë i përkushtuar për t’i mbështetur homologët e tij në IML dhe institucionet tjera përkatëse të Kosovës për ta zbuluar fatin e personave të zhdukur, pavarësisht nga rrethanat e zhdukjes së tyre, përkatësisë së tyre etnike, fetare apo kombëtare, apo ndonjë karakteristikë tjetër. Puna e Misionit është që t’i ndihmojë institucionet e Kosovës që t’u japin përgjigjet shumë të nevojshme familjeve dhe të dashurve të personave të zhdukur, për ta realizuar të drejtën e tyre për ta ditur të vërtetën, thuhet në komunikatë.