Afër tetë milionë euro, merret vendimi përfundimtar për projektin e kompleksit “Adem Jashari”
Foto: Laura Hasani

Afër tetë milionë euro, merret vendimi përfundimtar për projektin e kompleksit “Adem Jashari”

Aktuale July 03, 2024 - 15:17

Nga tre milionë euro që ishte paraparë të vlente, masterplani për kompleksin “Adem Jashari” shtetit do t’i kushtojë 7.890.000.00 euro.

Ministria e Kulturës e ka shpërblyer me kontratë studion gjermane të arkitekturës “Gerber Architekten International GmbH” për zhvillimin e masterplanit për kompleksin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Monumentet brenda kompleksit ka vite që ndodhen në rrezik të shkatërrimit.

Për të shmangur këtë degradim, Qeveria e Kosovës në vitin 2021 ka iniciuar një proces për zhvillimin e masterplanit të kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Hapi i parë ka qenë themelimi i një Komiteti ndërministror për kompleksin, i cili do ta mbikëqyrte dhe ndërmerrte hapa për zhvillimin e masterplanit. Kësisoj, Ministria e Kulturës hapi një konkurs përmes prokurimit publik për zhvillimin e një master-plani.

Sipas konkursit të mbyllur më 7 korrik, masterplani do të përfshijë një zonë prej 450 hektarësh. Në konkurs jepen detaje të gjendjes aktuale bashkë me synimet e shtetit.

Procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë fituese për zhvillimin e master-planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari, të cilat filluan në qershor, kanë përfunduar të mërkurën e 3 korrikut dhe kanë zgjatur më tepër se një vit.

Me kontratë është shpërblyer studioja e arkitekturës “Gerber Architekten International GmbH”, me bazë në Dortmund të Gjermanisë. Vlera e kontratës është dyfish më e madhe sesa ajo që ishte paraparë në hapje të tenderit.

Nga tre milionë euro që ishte paraparë të kushtonte, masterplani për kompleksin memorial “Adem Jashari” do t’i kushtojë shtetit 7.890.000.00 euro, bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar nga Zyra e Prokurimit të Ministrisë së Kulturës të mërkurën.

Image

Dy ofertat e konsorciumeve tjera konkurruese, ato të  “Polis University” dhe Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë, janë eliminuar nga Ministria e Kulturës, edhe pse ishin më të lira në çmime.

Në shkurt të këtij viti, Ministria e Kulturës është paditur nga Instituti i shkencës dhe teknologjisë “Insi”, e cila kryesonte njërin nga konsorciumet e eliminuara nga gara për tenderin e zhvillimit të masterplanit.

I njëjti operator ekonomik e ka dorëzuar lëndën edhe në Gjykatën Komerciale. “Insi” pretendon se ka pasur shkelje të shumta në procesin e prokurimit për këtë tender.

Shteti prej vitit 2004 me Ligj të veçantë kishte shpallur kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” si hapësirë me interes të veçantë.

Më pas në nëntor të vitit 2018 me Ligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz ishte ripërcaktuar statusi i Kompleksit dhe obligimet e institucioneve të Kosovës për planifikimin, ndërtimin, mbrojtjen, konservimin, restaurimin, administrimin, kujdesin dhe prezantimin e tij.

Në Ligj që ka zëvendësuar atë të 2004-s përcaktohet se Kompleksi posedon 450 hektarë dhe, sipas analizës së ndikimit buxhetor, asokohe parashihej të investoheshin 21 milionë euro.