Dronët “Bayraktar” të Kosovës “shqetësojnë” Vuçiqin, pretendon se u ngritën për t’i zbuluar pozicionet e ushtrisë serbe

Dronët “Bayraktar” të Kosovës “shqetësojnë” Vuçiqin, pretendon se u ngritën për t’i zbuluar pozicionet e ushtrisë serbe

Aktuale July 03, 2024 - 12:34

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot ka vizituar bazën ushtarake “Banjica 2”, ku edhe ka folur për situatën e sigurisë në rajon.

Kreu i shtetit serb ka përmendur edhe dronët “Bayraktar”, të blerë nga Kosova.

Siç pretendon ai, përgjatë periudhës kohore 5-20 qershor ata janë ngritur në lartësi prej 5 mijë e 800 metrave “për të zbuluar pozicionet e ushtrisë serbe”, shkruan Kosovo-online.

Ai gjithashtu ka pretenduar se edhe avionë gjermanë e suedezë kanë realizuar fotografime nga jashtë Serbisë, për “shkak të prezencës së ushtrisë”.

Ai ka treguar gjithashtu se “bajraktarët” shqiptarë janë vërejtur duke u ngritur nga drejtimi i Gjakovës më 5 dhe 20 qershor në lartësinë 5800 metra, me qëllim të zbulimit të pozicionit të ushtrisë serbe.

“Gjithashtu, avionët suedezo-gjermanë kanë bërë fotografi jo nga territori nën kontrollin e ushtrisë serbe, por nga territore të tjera që nuk janë nën kontrollin e Serbisë, por bëjnë fotografi shumë të sakta për shkak të pranisë së forcave të sigurisë dhe ushtarake në territorin e Serbisë Qendrore”, tha Vuçiqi.