Kryeministri serb: Derisa Kurti është në pushtet s’ka përparim në dialog, Lajçaku e di këtë

Kryeministri serb: Derisa Kurti është në pushtet s’ka përparim në dialog, Lajçaku e di këtë

Aktuale July 02, 2024 - 15:12

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka deklaruar se nuk ka mundësi që të lëvizë asgjë në dialogun e Brukselit përderisa në pushtet është Albin Kurti.

“Nuk shoh asnjë milimetër hapësirë që diçka do të lëvizë në dialog derisa të jetë Kurti në pushtet. Kur fola me Miroslav Lajçakun në Athinë para dhjetë ditësh, e pashë që edhe ata janë të vetëdijshëm për këtë. Ata e dinë se Kurti me siguri nuk do të formojë Asociacionin e komunave serbe. Mua më duket se është joreale që QUINT-i nuk ka ndikim te Kurti. Ata thonë se po i bëjnë presion, por ne nuk shohim ndonjë përparim”, thotë Vuçeviqi.

Ai po ashtu theksoi se të gjitha veprimet e Perëndimit çojnë në qëllimin e tyre të mëparshëm, që është pavarësia e Kosovës, transmeton Zeri.info.

Vuçeviqi edhe këtë herë ka propaganduar se serbët në Kosovë po jetojnë në terror, duke theksuar se lidershipi i Serbisë duhet të jetë i kujdesshëm për të ruajtur paqen dhe sigurinë e serbëve në Kosovë.

“Populli i Kosovës dhe Metohisë është absolutisht i dëshpëruar, në vendin e tyre unë do të kisha vdekur shumë kohë më parë”, tha Vuçeviqi.

Duke iu referuar deklaratave të ministrit të Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të arrestohet nëse vjen në Kosovë, Vuçeviqi thekson se “banditët nuk mund të arrestojnë kurrë presidentin e një vendi, por edhe se presidenti nuk do të bëjë kurrë asgjë që do të kërcënonte sigurinë e serbëve në Kosovë”.

“Duhet të jemi të kujdesshëm, të ruajmë paqen dhe të shpëtojmë serbët në Kosovë dhe Metohi, megjithatë kemi të bëjmë me dikë që nuk dëshiron paqe dhe që dëshiron spastrimin etnik të serbëve në Kosovë dhe Metohi. Dhe nëse presidenti e Serbisë vendos t'i vizitojë, do të jetë në koordinim me KFOR-in, EULEX-in dhe me të gjitha institucionet me të cilat është e nevojshme”, thotë Vuçeviqi. /Zëri