Gërvalla pret në takim kryetaren e Parlamentit të Sllovenisë, Zupançiq

Gërvalla pret në takim kryetaren e Parlamentit të Sllovenisë, Zupançiq

Aktuale July 02, 2024 - 12:59

Zgjerimi i bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, mbështetja e Republikës së Kosovës në rrugën e integrimit euroatlantik dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, siguria në rajon dhe bashkëpunimi në iniciativa rajonale që për qëllim kanë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ishin temat në fokus të takimit mes zëvendëskryeministres, ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe kryetares së Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Kosovë.

Në një njoftim për media nga ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, thuhet se gjatë këtij takimi ministrja Gërvalla e falënderoi kryetaren e Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq, për mbështetjen që deputetët sllovenë i kanë dhënë Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përkatësisht mbështetjen në arritjen e 82% të votës pro anëtarësimit nga Asambleja Parlamentare e KiE-së.

“Ministrja Gërvalla në takim me kryeparlamentaren sllovene paraqiti të arriturat e Republikës së Kosovës në shumë fusha dhe mundësitë e mëdha të investimeve në vendin tonë, duke theksuar potencialin e madh të të rinjve”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Gërvalla dhe kryetarja Zupançiq riafirmuan përkushtimin e tyre për të thelluar më tej bashkëpunimin bilateral dhe për të eksploruar mundësi të reja që do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët e të dyja vendeve. /Zëri