“Xhami me para të Serbisë”, Tërnava paralajmëron padi ndaj ish-zëvendësministrit: Më jepni fakte, i rrënoj

“Xhami me para të Serbisë”, Tërnava paralajmëron padi ndaj ish-zëvendësministrit: Më jepni fakte, i rrënoj

Aktuale July 02, 2024 - 12:53

Kryetari i BIK-ut, myftiu Naim Tërnava ka paralajmëruar padi ndaj ish-zëvendësministrit Milazim Gashi, i cili e akuzoi BIK-un se ka ndërtuar dy xhami – në Mat dhe Veternik – me para të Serbisë.

“Nuk ka ndodhë dhe nuk do të ndodhë kurrë që BIK të marrë para nga Serbia, prandaj ky njeri do të ndiqet penalisht. E sfidojë atë zotërinë dhe çdokënd tjetër në Kosovë që nëse argumentojnë një gjë të tillë, unë personalisht do t’i rrënoj ato xhami. Mirëpo kjo është shpifje, është çmenduri”, tha Tërnava.

Ai shtoi se nëse ka ndonjë dëshmi se ato dy xhami janë ndërtuar me para të Serbisë do t’i rrënojë.

“Ne menduam se sistemi ateist-komunist iku dhe shkoi, mirëpo fatkeqësisht kanë mbetur disa neokomunist, të cilët e kanë gjithherë primare fyerjen dhe shpifjen në raport me fenë, mirëpo në raport edhe me shqiptarinë tonë. E them me plot përgjegjësi se nuk ka ndodhë, nuk po ndodh dhe nuk do të ndodhë kurrë asnjëherë që Bashkësia Islame e Kosovës të marrë para nga Serbia. Por, e sfidojë atë zotërinë atje, e sfidoj dhe i them kështu me përgjegjësi të plotë, nëse ai dhe kushdo qoftë në Kosovë pinjollë të tij, kanë vetëm një argument në lidhje me atë çfarë kanë deklaruar, unë haptazi deklaroj sot se unë do të marr buldozerin dhe do t’i rrënoj ato dy xhami, edhe tek ajo në Veternik edhe kjo këtu në Mat. Mirëpo, kjo është shpifje, është çmenduri që vije nga një person i papërgjegjshëm”.

Tërnava ka ftuar edhe “xhematët e dy xhamive që të përgatisin në bashkëpunim me avokatët që vinë nga këto dy xhami lëndën dhe ta çojnë në prokurori”.

“Elhamduliah na e kemi shtetin, mirëpo sikur të kemi si duhet shtetin e së drejtës, atëherë ai kishte me përfunduar në Prokurori për të dhënë llogari, për shpifjen që e ka bërë, për gënjeshtrën që e ka bërë. Unë i ftoj edhe xhematët e të dy xhamive të përgatisin në bashkëpunim me avokatët që vinë nga këto dy xhami lëndën, ta çojmë në Prokurori dhe të ndjekin penalisht këtë njeri, këtë gjë do ta bëjë edhe vetë Bashkësia Islame e Kosovës, që ai të japë përgjegjësi para organeve tona, për shpifje për rrena të kulluara që i drejtohen Bashkësinë Islame të Kosovës”

“Serbia i ka financuar xhaminë e Matiçanit dhe xhaminë në hyrje të Veternikut edhe midis Prishtinë te Xhamia e Madhe. Ke aksione të dyshimta, që janë financu e renovu xhamitë në Prishtinë”, kishte thënë Gashi.