Kosova, nesër në zi për Ismail Kadarenë

Kosova, nesër në zi për Ismail Kadarenë

Aktuale July 02, 2024 - 10:58

Kosova e ka shpallur 3 korrikun ditë zie shtetërore në nderim të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili vdiq të hënën.

Presidenca ka njoftuar se në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet ditë zie shtetërore, në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare.

“Zia shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”.

“Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin ‘Hasan Prishtina’, ndër urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. /Zëri