Bajrami: Pa 2 Korrikun e vitit 1990 s’do të ishte as 17 Shkurti 2008
Foto: Laura Hasani

Bajrami: Pa 2 Korrikun e vitit 1990 s’do të ishte as 17 Shkurti 2008

Aktuale July 02, 2024 - 10:52

“2 korriku absolutisht është gur themel mbi të cilin është ndërtuar ideja e Republikës, ideja e shtetësisë dhe pa 2 Korrikun e vitit 1990 nuk do të ishte as 17 Shkurti 2008”.

Kështu deklaroi Arsim Bajrami, profesor universitar dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK. 34 vjet më parë, në këtë datë, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, përmes të cilës e shpallën Kosovën si njësi të veçantë e të barabartë me gjashtë republikat e atëhershme në kuadër të federatës jugosllave.

Bajrami foli gjithashtu për organizimin e konferencës shkencore “Zhvillimi i konstitucionalizmit shqiptar 1912-2024”, e cila po përgatitet nga Akademia e Arteve dhe Shkencave e Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Shqipërisë. Ai theksoi se dy akademitë po punojnë për këtë konferencë që një vit dhe se, me iniciativën e tij, është caktuar që kjo të mbahet më 2 korrik.

“Sepse sot e kemi 34-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese dhe caktimi i kësaj date ka për qëllim rikthimin e memories”, shpjegoi Bajrami. Në këtë konferencë janë ftuar edhe akademikë dhe profesorë eminentë nga Maqedonia e Veriut. “Dëshirojmë të shohim ku janë shqiptarët sot si një komb kushtetues. Do të prezantohen më shumë se 15 kumtesa të autorëve të ndryshëm. Me kumtesat që do të prezantojnë autorët e ndryshëm do të preken segmente të caktuara të shtetbërjes e të shtetndërtimit, sepse shtetndërtimi është një proces ku një komb verifikon aftësinë e mbijetesës shtetërore, që dallon nga pavarësia, sepse derisa pavarësia është shprehja e një vullneti politik, shtetndërtimi është shumë sfidues”, përfundoi Bajrami.