Bislimi e Petkoviqi takohen sot në Bruksel

Bislimi e Petkoviqi takohen sot në Bruksel

Aktuale July 02, 2024 - 08:05

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua.

Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut - përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit - që Vuçiqi nuk i pranoi.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e një sulmi të armatosur në Kosovë - shtatorin e kaluar - ku mbeti i vrarë një polic.

Ai besohet se është i lirë në Serbi.

Pritjet që Bislimi dhe Petkoviqi të dakordohen për ndonjë gjë, nuk janë të mëdha.

Disa runde bisedimesh mes tyre për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, përfunduan në maj pa ndonjë marrëveshje.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian. /REL