Krasniqi për Kadarenë: Gjigant i letrave shqipe, s’do ta harrojmë kurrë
Foto: Laura Hasani

Krasniqi për Kadarenë: Gjigant i letrave shqipe, s’do ta harrojmë kurrë

Aktuale July 01, 2024 - 15:01

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

“Lamtumirë, Gjenerali i letrave shqipe! Gjatë jetës, ndonjëherë mendojmë se disa nga personalitetet të cilat na kanë frymëzuar dhe që me veprimtarinë e tyre jemi rritur e formësuar – do t’i kemi pranë përgjithmonë. Megjithatë, ja që vdekja është e pamëshirshme dhe troket në derën e secilit – edhe të gjigantëve”.

Krasniqi ka thënë se Kadareja ishte gjigant i letrave shqipe.

“Ismail Kadare, me një stil krejt të veçantë dhe origjinal, ishte një gjigant i letrave shqipe. Një personalitet dhe një zë, i cili përgjatë jetës së tij i bëri jehonë thellësive të historisë, kulturës dhe vetë shpirtit tonë njerëzor”.

I pari i PDK-së tha se Kadareja ishte më shumë se një shkrimtar “ai ishte mishërimi i krenarisë shqiptare, fanar i identitetit tonë kombëtar dhe kampion i trashëgimisë sonë letrare dhe kulturore”.

Në fund, Krasniqi tha se Kadare nuk do të harrohet kurrë.

“Faleminderit që na dhatë dhuratën e tregimit tuaj të jashtëzakonshëm. Do të na mungosh thellësisht, por nuk do të harrojmë kurrë!”.