Zupançiq: Do ta mbështetim Kosovën në të gjitha proceset integruese

Zupançiq: Do ta mbështetim Kosovën në të gjitha proceset integruese

Aktuale July 01, 2024 - 13:22

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar Zupançiq, ka theksuar se shteti i saj do të vazhdojë ta mbështetë fuqishëm Kosovën në të gjitha proceset drejt anëtarësimit në institucionet euroatlantike.

Ajo në konferencë për media pas takimit me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ka thënë se raporti ndërmjet dy vendeve është i shkëlqyeshëm dhe duan të shohin që bashkëpunimi të vazhdohet në të gjitha fushat.

“Kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe bashkëpunimi ynë është i kënaqshëm në aspekte të ekonomisë. Kuvendi ynë është i gatshëm që t’i ndajë praktikat e mira sa i përket eksperiencës që Sllovenia e ka me BE-në në përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Kosova dëshiron të bëhet anëtare e BE-së dhe Sllovenia këtu mund ta ndihmojë shumë. Ne e mbështesim perspektivën evropiane dhe anëtarësimin e vendit tuaj në KiE dhe rrugëtimin tuaj në integrimet euroatlantike. Kjo është kyçe për mirëmbajtjen paqes e stabilitetit në Kosovë, por edhe në rajonin më të gjerë. Përmbushja e marrëveshjes si pjesë e dialogut Kosovë – Serbi është kyçe për sukses. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka theksuar Zupançiqi

Ajo ka thënë se shteti i saj mbetet i përkushtuar për stabilitetin e Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë prezent si pjesë e KFOR-it.

“Sllovenia është mike e Kosovës, do të mbesim të tillë dhe do t’ju mbështesim në të gjitha përpjekjet tuaja për anëtarësim në mekanizmat e ndryshëm evropianë”, shtoi ajo.

E pyetur rreth këmbënguljes së autoriteteve kosovare që marrëveshja në Bruksel ta ketë në qendër njohjen reciproke kryeparlamentarja sllovene ka thënë se kjo do të ishte gjë shumë e mirë dhe do të ndikonte në të ardhmen e të dyja vendeve. “Po, kjo mund të ndihmojë nëse të dyja vendet e njohin njëra-tjetrën. Vendet fqinje mund të përpiqen të që të ndikojnë këtu. Ne, do të përpiqemi të ndikojmë në këtë drejtim dhe mendoj se njohja reciproke do të ishte shumë e mirëseardhur për të ardhmen. E dimë se ka pyetje të hapura për të dyja vendet dhe do të jetë e vështirë që ato të zgjidhen pa ndihmën e vendeve tjera. Vende kyçe të BE-së besoj do t’ju ndihmojnë në këtë aspekt”, shtoi Zupançiqi.

Ajo tutje ka thënë se Sllovenia është e gatshme ta ndihmojë Kosovën edhe në procesin e njohjes nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. “Është e rëndësishme gjithashtu që vendet e treta ta njohin sovranitetin e të dyja vendeve, sepse atëherë të dyja vendet do të jenë në të njëjtin nivel. Nëse kemi vende të treta që nuk e njohin Kosovën kjo bëhet më e vështirë. Sllovenia e cila e njeh rajonin mirë, mund ta qartësojë situatën për vendet e tjera evropiane që nuk janë të familjarizuara me këtë rajon dhe nuk e kuptojnë historinë e përbashkët të këtij rajoni. Patjetër, se ne do t’i adresojmë të gjitha këto çështje dhe shpresoj se do të jemi konstruktiv në këtë drejtim”, nënvizoi kryeparlamentarja sllovene. /rtk