Kurti: Vepra e Kadaresë u përkthye në 45 gjuhë të huaja, duke arritur rekord të përhapjes në tërë botën

Kurti: Vepra e Kadaresë u përkthye në 45 gjuhë të huaja, duke arritur rekord të përhapjes në tërë botën

Aktuale July 01, 2024 - 11:09

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, duke thënë se falë veprimtarisë së tij Kadareja i ka mundësuar lexuesit të mendojë më thellë e të mësojë më shumë.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë.

Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadareja mbylli sytë përgjithmonë.

Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë.

Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë.

Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë. Ngushëllime të gjithëve!