Kryediplomati shqiptar Igli Hasani përplaset me Miroslav Lajçak: Rri te dialogu, do të jemi të lumtur nëse ke rezultate

Kryediplomati shqiptar Igli Hasani përplaset me Miroslav Lajçak: Rri te dialogu, do të jemi të lumtur nëse ke rezultate

Aktuale June 30, 2024 - 11:37

Në një panel të Forumit të Dubrovnikut, ku kanë marrë pjesë diplomatë të rajonit përfshirë edhe Emisarin e BE-së Miroslav Lajçak dhe Ndihmës Sekretarin për Evropë dhe Eurazi James O’Brien është shënuar një përplasje.

I pyetur nga moderatori gazetari Michael Martens nëse procesi i anëtarësimit në BE është një proces i bazuar në merita, Kryediplomati shqiptar Igli Hasani ka ka adresuar kritika duke thënë se “forcat centripetale drejt BE-së duhen rritur” dhe se Shqipëria do të vazhdojë t’i përmbush kriteret e kërkuara dhe “se këtë nuk e bën për shkak të BE’së por për shkak të vetë Shqipërisë”.

“Kam vështirësi të kuptoj se vendi im e ka organizuar vetëm një konferencë ndërqeveritare (Shqipëri-BE), dhe po ashtu edhe tjerët kanë bërë këtë. Kaq”, ka thënë ai. Kryediplomati Hasani i është referuar konferencës së parë Shqipëri BE të vitit 2022, per çeljen e negociatave.

Ndaj kësaj ka reaguar Lajçak i cili është Përfaqësues i Posaçëm i BE’së për Ballkanin Perëndimor dhe Emisar për dialogun Kosovë-Serbi.

“Ndihem i obliguar që të përgjigjem në pyetjen që i bëri ministrit Hasani. Dua të them se ky proces është absolutisht i bazuar në merita. Ka shumë politikë dhe gjeopolitikë në fazën përgatitore, vendimi për të dhënë statusin e kandidatit, ftesa për hapjen e negociatave për anëtarësim, por pasi të jeni në proces të anëtarësimit ju duhet të përmbushni kriteret, s’ka rrugë të shkurtër” ka thënë Lajçak.

Por, ndaj këtij konstatimi ka reaguar menjëherë kryediplomati shqiptar.

“Nuk thash asnjëherë rrugë të shkurtra..megjithë respektin ti je për dialogun Beograd -Prishtinë. Kështu që dua të jem i qartë në një gjë. S’kemi kushte për kushtet që na janë vënë. Le të jem i qartë për këtë” ka thënë Hasani.

Lajçaku i reagoi duke thënë se “nuk jam duke polemizuar me ty Igli”.

I menjëhershëm ishte reagimi i Hasaniit i cili në mënyrë të drejtëpërdrejtë i kërkoi që të merret me dialogun Kosovë -Serbi, madje me ironi duke ia përmendur rezultatet.

“Po, po, por rri te dialogu, do të jemi të lumtur nëse ke ndonjë rezultat, do të mbështesim, do të mbështesim vazhdueshëm sic kemi bërë…por rri te dialogu”, tha Hasani.

Sllovaku iu përgjigj duke thënë se “mandati im është më i gjerë se dialogu, çështjet rajonale”.

Hasani vazhdoi: “Po,  por ndalu te dialogu”.

Nuk mungoi as përgjigja e Lajçak me çka u mbyll polemika e shkurtër dhe intensive mes dy protagonistëve:

“Po ashtu kam një eksperincë personale 25 vjecare që s’mund ta injoroj. Kam qenë pjesë e ketij procesi të vendit tim, Ballkanit Perëndimor dhe guxoj të them se di diçka për këtë”, tha sllovaku.

*Fotoja nga Konferenca Ndërkombëtare për Paqen dhe Rritjen e Qëndrueshme në Athinë, 18 qershor 2024.