“Ata që e kryen Banjskën duhet të mbahen përgjegjës”, Lajçak: S’ka imunitet për ta
Foto: Laura Hasani

“Ata që e kryen Banjskën duhet të mbahen përgjegjës”, Lajçak: S’ka imunitet për ta

Aktuale June 29, 2024 - 19:36

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po merr pjesë në Samitin e Dubrovnikut, ku nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, iu kërkua ta dëgjojë qëndrimin në lidhje me faktin se kryekrimineli Millan Radoçiq, po lëvizë i lirë në Serbi.

Lajçaku tha se pozicioni i Bashkimit Evropian është i qartë, ku sipas tij, të gjithë ata që i kryen aktet kriminale në Banjskë të Zveçanit duhet të mbahen përgjegjës.

“Pozicioni i BE-së ka qenë i formuluar dhe është i qartë që ata që i kanë kryer aktet kriminale në shtator të vitit 2024 duhet të mbahen përgjegjës. S’ka imunitet për ta dhe BE-ja e përsërit këtë edhe në takime bilaterale”, tha Lajçak.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha se ShBA-ja dhe BE-ja presin, pasi sipas tij, u është premtuar që kryekrimineli Radoiçiq të kalojë në një proces të plotë ligjor në Serbi.

“Është gjë e mirë që ai nuk po shfaqet më aktiv në veri të Kosovës ashtu siç ka qenë, gjë e cila i ka benefitet pozitive. Por, presim që procesi ndaj tij të përfundojë. Ky është zotim për sundim  të ligjit”, tha O’Brien.

Ndryshe, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian (BE) për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Gërvalla ka thënë se atje ka ndodhur një akt i hapur agresioni kundër Republikës së Kosovës, derisa, sipas saj, Shtetet e Bashkuara e kanë emëruar ashtu siç është, BE nuk e ka bërë një veprim të tillë.