MPJD-ja dënon fuqishëm ndalimin e mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan”

MPJD-ja dënon fuqishëm ndalimin e mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan”

Aktuale June 28, 2024 - 16:53

Ndalimi i festivalit “Mirëdita, Dobar dan” në Serbi me urdhër zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Ivica Daqiq, është edhe një dëshmi e vazhdimit të politikës, mendësisë dhe veprimeve të regjimit të kaluar.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, thotë se këtë fushatë të egër publikisht e nisi njeriu i listave të zeza dhe ish shefi i BIA-s, Vulin, të cilit pastaj iu bashkua ai që duhej të ishte në krye të organizimit të festivalit dhe mirëvajtjes së tij, ministri i Kulturës, Nikola Selakoviq.

“Kjo dëshmon qartë se si regjimi autoritar i presidentit serb Vuçiq funksionon, dhe se ky regjim është vazhdimësi besnike e politikave, mendësisë dhe veprimeve kriminale të regjimit të Millosheviqit”, thuhet në një komunikatë nga MPJD-ja.

“Ky vendim i qeverisë serbe vërteton edhe një herë se qeveria serbe është kundër çdo lloji dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojnë me gjuhën më të ashpër veprime të tilla të autoriteteve të Serbisë për ndalimin e festivalit i cili është mbajtur dhjetë herë, në Kosovë dhe Serbi dhe që kishte për qëllim të bashkonte artin, kulturën, aktivistë të të drejtave të njeriut e të paqes dhe që synonte të krijonte ura bashkëpunimi dhe nxiste ndërtimin e paqes në rajon.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi po përcjell nga afër të gjitha zhvillimet e fundit dhe do t’ju njoftojë në kohë reale për zhvillimet e reja mbi këtë çështje.