Hapet Qendra Komunitare “Concordia” në Gjakovë, Kurti: Shfrytëzoni këto qendra për të filluar hapat e parë drejt zhvillimit të karrierës

Hapet Qendra Komunitare “Concordia” në Gjakovë, Kurti: Shfrytëzoni këto qendra për të filluar hapat e parë drejt zhvillimit të karrierës

Aktuale June 28, 2024 - 16:24

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës mori pjesë në hapjen solemne të Qendrës Komunitare “Concordia”, në lagjen Ali Ibra, në Gjakovë, e cila është rinovuar dhe funksionalizuar plotësisht me investimin nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

 Fjalën e tij, kryeministri Kurti e nisi me thënien e shkrimtarit francez Viktor Hygo, “Të hapet një shkollë është të mbyllët një burg”, duke shtuar se Qendra Komunitare e hapur sot është një nga dëshmitë e angazhimit tonë për mbështetjen e komuniteteve në arsim dhe në edukim.

 “Ne kemi ngritur shumën e ndarë sivjet nga 200 mijë euro në 250 mijë euro, e që me qendrat siç është kjo në Lagjen Ali Ibra, fëmijë – siç janë edhe këta këtu me neve sot së bashku – do të keni përkrahjen e duhur për të vijuar shkollat e shtetit, të zgjerojnë dijen, të zhvillojnë aftësitë e talentet, dhe të arrijnë maksimumin që të bëhen shembuj brenda familjes, lagjes, komunitetit, por edhe për Kosovën e më gjerë”, shprehu kryeministri.

Për të pranishmit, ai përmendi vizitën në Qendrën Mësimore të Concordias në Prizren, dhe se aty kishte parë kontributin në komunitet. Ai vlerësoi se Concordia është unike në Kosovë, si e vetmja organizatë që është e licencuar edhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shërbime arsimore, por edhe nga Ministria e Drejtësisë për shërbime sociale.

 Duke theksuar mbështetjen e Qeverisë për arsimin, me thirrjen kryesore për të mësuar, kryeministri Kurti iu tha nxënësve se do ta kenë mbështetjen në secilën fazë të arsimit e edukimit. Në kuadër të saj, përmendi 500 bursat që ofrohen në shkollat e mesme për studentët e komuniteteve joshumicë, dhe 100 bursa të tjera që ofrojmë në universitetet publike.

 Si nismë mbështetëse, ai veçoi edhe iniciativën “Kosovo Generation Unlimited” e cila ofron praktika me pagesë, si hap i parë në tregun e punës për të rinjtë prej moshës 16 deri në 24 vjeç. Po ashtu, shtoi se Qeveria është kujdesur edhe për punësimin e komuniteteve, duke krijuar bazën ligjore për konkurse të rezervuara për komunitetet, në mënyrë që të mund të arrihet kuota e 10% të vendeve të punës në institucionet qendrore.

 “Ju bëjë thirrje juve nxënës, të mësoni sa më shumë, sepse leximi asnjëherë nuk është i tepërt, mirëpo gjithmonë mund të jetë i mangët. Shfrytëzoni këto qendra mësimore për të filluar hapat e parë drejt zhvillimit të karrierës dhe të ardhmes. Mbështetja jonë ndaj jush nuk do të mungojë, e në veçanti do të jemi kurdoherë bashkë për të krijuar kushte më të mira për arsim dhe edukim dhe punësim mandej”, tha kryeministri Kurti në përfundim të fjalës së tij.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani, Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, Shef i Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Prishtinë, Ali Ciocanea, Mirela Lavric, Drejtore Ekzekutive Concordia Projekte Sociale dhe përfaqësues të tjerë institucional.