LDK-ja dorëzon zyrtarisht kërkesën për vendosjen e shtatores së Leotrim Ahmetit në oborrin e Kuvendit

LDK-ja dorëzon zyrtarisht kërkesën për vendosjen e shtatores së Leotrim Ahmetit në oborrin e Kuvendit

Aktuale June 28, 2024 - 12:31

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së është dorëzuar zyrtarisht kërkesa drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për vendosjen e shtatores së Leotrim Ahmetit në oborrin e Kuvendit.

Ai ka shkruar në Facebook se pas marrjes së pëlqimit të familjes Ahmeti, kanë kërkuar nga autoritetet e Kuvendit të Kosovës të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të realizuar këtë kërkesë.

“Leotrim Ahmeti, fëmija 7-vjeçar, u vra me 11 shtator 1998, nga shpërthimi i granatave të forcave serbe në oborrin e shtëpisë së familjes Ahmeti në Rrezallë të Skenderajt dhe copat e granatës ranë mbi fëmijët e nënës Shukrie Ahmeti, gruas së Malush Ahmetit, dëshmorit të Kosovës”.

“Shtatorja e Leotrimit, e punuar me mjeshtëri nga skulptori Sabri Behramaj dhe e vendosur në qendër të Skenderajt, është bërë simbol i së vërtetës historike të popullit të Kosovës. Vendosja e shtatores së njëjtë, në oborrin e Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si një mënyrë e denjë për të memorializuar të kaluarën e rëndë të Kosovës dhe për të përkujtuar sakrificën e rreth 1.000 fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit”.

“Gjithashtu, dëshirojmë të informojmë publikun se do të angazhohemi që e njëjta shtatore të vendoset edhe në kryeqendrat e vendeve të rëndësishme perëndimore”, shkroi tutje ai.