Anulimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, Kandiq: Serbia u rreshtua në errësirën etnonacionalizmit më të madh
Foto: Laura Hasani

Anulimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, Kandiq: Serbia u rreshtua në errësirën etnonacionalizmit më të madh

Aktuale June 27, 2024 - 17:07

Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, njoftoi se Ministria e Brendshme ka lëshuar një urdhër për ndalimin e tubimit në festivalin tradicional “Mirëdita, dobar dan” në Beograd.

Ministria e Brendshme lëshoi urdhër për ndërprerjen e tubimit publik ‘Mirëdita, dobar dan’, për shkak se mund të rrezikojë sigurinë e njerëzve dhe pronës, por edhe rrezikon të prishë rendin publik dhe paqen në shkallë të gjerë”, tha Daçiq, por edhe Ministria e Brendshme.

Ndaj ndalimit të këtij manifestimi kulturor, ka reaguar aktivistja për të drejtat e njeriut dhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq.

Ajo përmes një postimi në platformën “X”, ka thënë se në Serbia dhe institucionet e saj u rreshtuan me huliganët dhe në errësirën e etnonacionalizmit më të madh.

“Me ndalimin e ‘Mirëdita, dobar dan’ Serbia dhe institucionet e saj u rreshtuan me huliganët dhe në errësirën e etnonacionalizmit më të madh. Në Serbi më s’mund të organizohet debat për pajtimin e as protestë kundër glorifikimit të kriminelëve. Vrimë e zezë”, ka shkruar ajo në “X”.

Hapja e festivalit është paraparë të ndodhte sot (27 qershor) në orën 18:30 në sheshin Dorqol të Beogradit dhe disa orë para hapjes, një grup i madh i djathtistëve u mblodhën në hyrje të zonës, duke valëvitur flamuj serbë.

Ky grup protestuesish janë dëgjuar duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.

Që nga themelimi i tij më 2014, festivali në Beograd, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Serbisë dhe Kosovës, është shoqëruar me protesta nga organizatat e krahut të djathtë dhe partitë që kanë tentuar të ndalojnë mbajtjen e festivalit.

Disa përfaqësues të autoriteteve serbe kanë bërë thirrje për anulimin e mbajtjes së festivalit gjatë këtij vitit, që është paraparë të mbahet nga 27 deri më 29 qershor.

Më 26 qershor, Daçiq deklaroi se festivali paraqet “rrezik të sigurisë”.

Disa javë para hapjes së festivalit, në media dhe rrjete sociale ka pasur njoftime për këtë ngjarje, që kanë qenë të shoqëruara me gjuhë të urrejtjes.

“Mirëdita, dobar dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës para publikut nga Serbia.

Ngjarja organizohet nga organizatat joqeveritare – Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat Qytetare nga Serbia dhe Integra nga Kosova.