Kushtetuesja ia rrëzon shtatë nene qeverisë në Ligjin për Shërbimin Civil
Foto: Laura Hasani

Kushtetuesja ia rrëzon shtatë nene qeverisë në Ligjin për Shërbimin Civil

Aktuale June 27, 2024 - 16:34

Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar shtatë nene të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Sipas Kushtetueses, nenet të cilat nuk e kanë kaluar kushtetutshmërinë janë neni 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11.

“Gjykata, ka vendosur që njëzëri, të dhe të konstatojë që nenet 2, 7 dhe 8 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme”.

“Gjykata ka vendosur me shtatë (7) vota për dhe dy (2) vota kundër, që neni 6 i Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtin të pavlefshëm”.

“Njëzëri, që nenet 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme; dhe (v) njëzëri, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të shpallë që Ligji nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për dekretim sipas modaliteteve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Gjatë ditës, Kushtetuesja i ka dhënë të drejtë qeverisë për sa i përket kushtetushmërisë për Ligjin për Investime të Qëndrueshme.

Sipas njoftimit, Kushtetuesja ka vlerësuar se tri nenet që ishin dërguar për vlerësim nga deputeti i PDK-së, Ferat Shala dhe nëntë deputetë të tjerë nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën.

I njëjti i është dërguar presidentes së vendit, Vjosa Osmani për shpallje.