Rexha e Kusari thirrje Qeverisë të tërhiqet nga Projektligji për KPM-në: Rrezik për zvogëlim të pluralizmit medial
Foto: Laura Hasani

Rexha e Kusari thirrje Qeverisë të tërhiqet nga Projektligji për KPM-në: Rrezik për zvogëlim të pluralizmit medial

Aktuale June 27, 2024 - 10:07

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës Xhemajl Rexha dhe juristja e medias Flutura Kusari kanë shprehur shqetësimet dhe vërejtjet e shoqërisë civile rreth Projektligjit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

Përmes një konference të përbashkët për media, i kanë bërë thirrje Qeverisë të tërhiqet nga ky projektligj.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka bërë që ky Projektligj të tërhiqet dhe të mos miratohet në lexim të dytë, ndërsa kritika ka për ekzekutivin e mazhorancën.

Këto të dyja, sipas tij, nuk i kanë marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare.

“Qëllimi i kësaj konference është të shprehim pakënaqësitë tona për Ligjin e KPM-së, sepse siç e dini sot në rend dite është miratimi në lexim të dytë i projektligjit për KPM-në, të cilën tashmë në mënyrë publike si pjesë e shoqërisë civile e kemi shprehur pakënaqësitë tona dhe vërejtjet më të cilat ky ligj është miratuar. Si AGK kemi thënë disa herë se shoqëria civile nuk ka qenë e përfshirë më fazat kryesore të hartimit të këtij ligjit. Qeveria Kosovës, partia në pushtet nuk ka qenë e interesuar të flas me të gjithë akterët që janë pjesë e rëndësishme të industrisë së mediave të flas me të për ligjin sa me te mirë, edhe pse ka pas kohën e duhur në dispozicion”, u shpreh Rexha.

 

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se “pasoja kryesore nga ky projektligj është zvogëlimi i pluralizmit medial”.

“E ftojmë Lëvizjes Vetëvendosje mos ta votojë këtë ligj, dhe draftimi i tij të bëhet përmes një grupi punues siç ka kërkuar edhe Këshilli i Evropës. Qëllimi fillestar i Qeverisë ishte t’i kontrollonte mediat online përmes KPM-së dhe kur e pa që ligjërisht nuk është e mundur e ka propozuar njëfarë regjistrimi por është aq keq i rregulluar sado të shkaktojë kaos ligjor dhe nuk do të funksionojë”, u shpreh Kusari, teksa mediat online i cilësoi si storie suksesi.

Image

 

“Nëse aprovohet ky projektligj, këshilli i mediave do të dobësohet në një moment kur ka reformë të mirë të brendshme”, u shpreh ajo.