2 korriku si datë e mundshme për një takim të ri Bislimi - Petkoviq, krejt ç’ndodhi dje në Bruksel
Ka dështuar takimi trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi dje në Bruksel. Kjo pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vendosur disa kushte për t’u takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Sipas shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dështimi i mbajtjes së takimit trepalësh ndodhi, pasi sipas tij Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë. Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë, raporton Zeri.info.
“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.
Vetë kryeministri Albin Kurti u deklarua për media për përfundimeve të këtyre takimeve, ku theksoi se cilat ishin kërkesat e tij dhe pse nuk pranoi të takohej me Vuçiqin.
Deklarimi i plotë për media i kryeministrit Kurti pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i mbajtur dje në Bruksel:
Mirëmbrëma të gjithëve. Faleminderit që na keni pritur deri në këtë orë.
Kemi pasur disa takime bilaterale sot në Bruksel, nuk kemi pasur takim trelateral. Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur qëndrimin e saj të qartë, të vendosur për zbatimin e Marrëveshjes Bazike e cila është dakorduar me 27 shkurt të vitit të kaluar dhe më pastaj është pasuar edhe nga Aneksi i Zbatimit që është pjesë integrale nga 18 marsi i vitit të kaluar në Ohër. Konsiderojmë që Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore më fqinjin tonë verior, me njohjen së paku de fakto në qendër, por gjithashtu është edhe e arritur e Bashkimit Evropian i cili ka ndërmjetësuar, ka lehtësuar raunde të tëra të këtij dialogu qoftë në nivel të kryeministrit me presidentin, qoftë në nivel të kryenegociatorëve.
Pyetje nga gazetari: Kryeministër, pse erdhi te dështimi i takimit tr palësh, sepse Borrelli tha që ishte faji juaj që nuk u takuat me presidentin Vuçiq. Cilat ishin kërkesat që quan drejt dështimit?
Kryeministri Kurti: Hera e fundit kur kemi pasur takim trelateral ka qenë me 14 shtator të vitit të kaluar, pra dhjetë ditë para sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, dhe që prej atëherë nuk kemi pasur takim trelateral. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë. Ka ndodhur Banjska, por gjithashtu ka ndodhur edhe letra e tërheqjes nga Marrëveshja Bazike, në të cilën para 27-tës evropiane e ka lexuar dhe deponuar më pas ish-kryeministrja e Serbisë Bërnabiq.
Siç e tha edhe vetë përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, unë kam kërkuar garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve. Nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa mirëbesim dhe pa vullnet të mirë, dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancive të cilat i kam theksuar. E para është nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike, vetëm nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike sjell sigurinë ligjore, juridike në njërën anë, dhe anulon shkeljet e mëhershme. Garancia e dytë, është tërheqja e letrës së ish-kryeministres (të Serbisë) Bërnabiq, sepse në atë letër ajo na thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial. Cili është kuptimi që të zbatosh marrëveshje apo të përpiqesh të normalizosh marrëdhëniet kur të thonë që pavarësia, ulësja në OKB, dhe integriteti territorial, nuk do të respektohen nga pala tjetër. Ndërkaq, garancia e tretë që kam kërkua, është dorëzimi i kryekriminelit Millan Radojçiq, dhe i bandës së tij terroriste, autoriteteve të Kosovës. Ne, nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë policor, Afrim Bunjakun, mirëpo Serbia duhet të na e dorëzojë Millan Radojqiqin. Kjo është arsyeja pse sot kishim takime bilaterale, pa atë trilateral. Sido që të jetë, do të ketë diskutim të kryenegociatorëve në fillim të korrikut, mirëpo nuk do të mund të kemi praktikisht zbatim të Marrëveshjes, për çfarë ne jemi shumë të interesuar, pa e realizuar vullnetin e mirë dhe mirëbesimin, e për të cilat ne besojmë që kalojnë nëpërmjet këtyre tri gjërave: nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike, tërheqjes së letrës së Bërnabiqit, dhe dorëzimit të Millan Radoiçiqit.
Pyetje nga gazetari: A keni informacione prej palës amerikane për shkak se Jim O’Brien na ka thënë në një takim online që keni pas, se Serbia është tërhequr prej versionit të parë të letrës që e ka dërguar Bërnabiqi? A keni pasur kontakt me Uashingtonin për këtë punë dhe a ka mirëkuptim BE-ja për kërkesën tuaj për ekstradimin e Radoiçiqit?
Kryeministri Kurti: Unë besoj që Millan Radoiçiq doemos duhet të dorëzohet autoriteteve të Kosovës, përndryshe normalizimi i marrëdhënieve, paqja edhe në rajon, nuk ndodh në rajon. Është edhe shkelje e Nenit 2 edhe Nenit 3 të Marrëveshjes Bazike, prandaj nuk shohim alternativa, kompromise apo koncesione ndaj sundimit të ligjit dhe drejtësisë. Çështja e dorëzimit të Millan Radojqiqit nuk është kërkesë politike e Kosovës, por domosdoshmëri e sundimit të ligjit në shtetin demokratik, të pavarur, Republikën e Kosovës.
Unë nuk mund t’i di tash hollësitë se çka ka qenë në gjendje të lëshojë pe presidenti i Serbisë, mirëpo letrat e rezervimit nga anash janë shkelje e Marrëveshjes Bazike. Mund ta merrni me mend nëse edhe pala e Kosovës vendosë që të dërgojë letra të rezervës ndaj Marrëveshjes Bazike se ku shpie kjo punë. Ne ju kemi thënë tërhiqni këto letra të rezervës sepse Marrëveshja është shumë e qartë me tekstin e saj relativisht të shkurtër, andaj le të angazhohemi për jetësimin e saj. Këto letra rezervë anësore janë sulm direkt mbi Marrëveshjen Bazike, andaj edhe kemi kërkuar që të largohen.
Pyetje nga gazetari: A pritet të ketë takimet në nivel të kryenegociatorëve nëse nuk ka takime fare në nivel të lartë, sepse shpesh edhe BE-ja ka thënë pa lëvizje në nivel të lartë nuk mund të kryhet as punë praktike në nivel të kryenegociatorëve, atëherë çfarë kuptimi kanë ato takime?
Kryeministri Kurti: Do të provohet në fillim të korrikut, me shumë gjasë më 2 korrik, ndërmjet dy kryenegociatorëve që do të diskutojnë mbi sekuencimin. Por zbatimi i Marrëveshjes e ka të domosdoshme respektimin e saj. Ajo çfarë kemi bërë ne sot, ne e kemi mbrojtë Marrëveshjen Bazike. Marrëveshja Bazike është nën sulm dhe ne sot e kemi mbrojtë atë. Marrëveshja Bazike, është nën sulm nga mosnënshkrimi, është nën sulm nga letra e Bërnabiq dhe është nën sulm nga liria e Radoiçiq, i cili përndryshe në Serbi vazhdon ushtrimet, trajnimet për sulme të reja. Andaj, për të pasur normalizim të marrëdhënieve ne kemi thënë që këto tri garanci janë të domosdoshme.
Pra, le të diskutohet për sekuencimin në vijim, mirëpo për zbatim nevojitet respektimi, nevojitet mbrojtja e Marrëveshjes Bazike që unë jam i sigurt realizohet pikërisht me ato çfarë kemi thënë sot dhe për çfarë e falënderoj edhe Josep Borrellin, i cili në mënyrë shumë adekuate i renditi ato çfarë i kemi thënë ne, në mënyrë të qatë i citoi, veçse ne nuk do t’i kishim quajtur kushte, por garanci për vullnet të mirë dhe mirëbesim.
Pyetje nga gazetarja: Kur jemi te sekuencimi, a e keni parë propozimin e sotëm, të cilin e paskan përgatitur pala evropiane dhe nëse po, çfarë është dallimi në krahasim me prezantimin e 14 shtatorit?
Kryeministri Kurti: Ne nuk kemi mbërritur aty. Kjo është një çështje e kryenegociatorëve, mirëpo ajo çka mund të them është se tash për tash plan të udhërrëfyesit të sekuencuar për zbatim të Marrëveshjes Bazike e kemi vetëm atë nga dhjetori i vitit të kaluar, i cili është versioni që kemi.
Pyetje: Kurti sot e kemi parë në konferencë për media Vuçiqin, i cili krejt akuzën e drejton te pala kosovare. A besoni që mund të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe pa pasur njohje direkte nga Serbia dhe a besoni që me Lajçakun dhe Borrellin ka shpresë që në këta gjashtë muaj të fundit të arrihet diçka konkrete, apo kërkoni ndryshime në këtë drejtim?
Kryeministri Kurti: Marrëveshja Bazike e ka në qendër njohjen de fakto së paku. Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një çështje e trashëguar prej qeverive të kaluara. Ne nuk e mohojmë këtë gjë, mirëpo ajo do të mund të adresohet në nenin 7 edhe 10 të Marrëveshjes Bazike. Ne tash kemi Marrëveshje Bazike, e cila është më e madhe, më e lartë, më e thellë se gjithçka që është bërë përpara, dhe për këtë ne jemi shumë të lumtur dhe dëshirojmë që të zbatohet.
Neni 7 flet për vet menaxhimin e komunitetit serb, neni 10 flet për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, të cilat janë bërë në të kaluarën. Janë 39 sosh. Këto për asociacionin janë dy nga 39 dhe ne nuk mund të lejojmë që Marrëveshja Bazike të hidhet në prapavijë duke e bërë çështje urgjente asociacionin, apo duke e vendosur atë në qendër. Nuk e mohojmë trashëgimin e qeverive të mëhershme, mirëpo Marrëveshja Bazike duhet të mbrohet në thelbin e saj.
Le të mos harrojmë që kur kërkohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i referohen Marrëveshjes së vitit 2013. Përndryshe, nesër bëhen 11 vjet që me 84 vota në Kuvendin e Republikës është ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare. Në anën tjetër Serbia nuk e konsideron marrëveshje ndërkombëtare. Dhe jo vetëm kaq. Ajo e ka shkelur marrëveshjen e vitit 2013, ku gjashtë pikat e para janë për asociacionin, mirëpo nga pika 7 deri në pikën 10 janë për integrimin e serbëve në institucionet në Kosovë, për çfarë Serbia ka dhënë urdhër për dorëheqje kolektive dhe bojkot dhe në veçanti e ka shkelur nenin 14, që thotë që Kosova dhe Serbia nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në rrugëtimin e tyre të integrimit evropian. Pra me fjalë të tjera, marrëveshja më e dashur të cilës i referohet Serbia e cila nesër e ka 13-vjetorin e ratifikimit në Kuvendin e Kosovës është shkelur nga vetë Serbia, përveç se nuk është votuar në Parlamentin e Serbisë, sepse ata nuk e konsiderojnë marrëveshje ndërkombëtare. Pra, gjërat nuk janë ashtu bardh e zi, dhe ne me durim dhe me shumë kujdes e vëmendje dëgjojmë, adresojmë gjithçka dhe mbi të gjitha e para së gjithash jemi në mbrojte të Marrëveshjes Bazike të cilën natyrisht Serbia vazhdon ta sulmojë.
Pyetje nga gazetari: A keni shpresë te Borrelli dhe Lajçaku në këtë gjashtëmujor të fundit në këtë përmbyllje të mandatit apo kërkoni ndryshime?
Kryeministri Kurti: Unë gjithmonë kam shpresë, jam optimist, jo vetëm për shkak se përshkrimi i vendit të punës ma kërkon një gjë të tillë dhe unë me shumë kënaqësi i përgjigjem kësaj kërkese në funksionin që kam. Tash nuk mund ta di se si do të shkojnë javët edhe muajt në vijim, por ajo çfarë e di është që faktorët ndërkombëtarë nuk janë dakord me atë letrën e rezervës së ish-kryeministres (së Serbisë) Bërnabiq, do të dëshironin që Marrëveshja Bazike të nënshkruhej dhe e konsiderojnë kriminel e terrorist Millan Radoiçiqin dhe grupin e tij paramilitar. Pra, në kuptimin e vlerave dhe në thelbin e gjërave ata kanë mirëkuptim për këtë çfarë themi dhe bëjmë ne.
Pyetje nga gazetari: Një pyetje për çështjen e masave. Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, nëse palët nuk tregohen konstruktive sot rrezikojnë përfitimin e fondit nga Bashkimi Evropian dhe Kosova rrezikon mbi 900 milionë euro që ndahen nga ky fond i Planit të Zgjerimit. A po e rrezikon Kosovën mostakimi apo tash dështimi i takimit trepalësh për përfitimin e fondeve?
Kryeministri Kurti: Përfitimi i fondeve është në një periudhë më të gjatë. Përafërsisht gjysma janë grante, gjysma janë kredi. Është e vërtetë që Kosova do të përfitojë afër 1 miliard euro që do të thotë se është më lart sesa madhësia e vendit tonë në Ballkanin Perëndimor të këtyre gjashtë shteteve që ende nuk janë integruar në Bashkimin Evropian. Ju e keni parë që Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, që është edhe Zëvendës President i Komisionit Evropian ka kërkuar që të hiqen masat për Kosovën. Ne kaq mund të bëjmë. Pra, Kosova është në të drejtën e saj. Në veri ka ndodhë deeskalimi, në verën e vitit të kaluar. Është e vërtetë që ka ndodhur rieskalimi në shtator (2023) nga grupi terrorist i Radoiçiqit, ndërkaq sivjet e kemi bërë hapin gjigant duke iu falënderuar Udhëzimit Administrativ, neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e ka mundësuar së pari peticionin prej 20 për qind e pastaj edhe votimin por Beogradi dhe urdhër që të bojkotohej ai, meqenëse e kishte 20 për qind të votave por nuk i kishin 50 për qind të votave. Për shkak se nuk i kishin 50 për qind të votave atëherë u bënë destruktiv dhe kërkuan bojkot. Tash janë disa dinamika të brendshme në 27-shen e Bashkimit Evropian, pse ne tash që po flasim i kemi ende masat. Mirëpo njeriu kryesor i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian thotë që Kosovës do të duhej t’i hiqen masat. Ne si Kosovë më shumë se kaq s’mund të bëjmë.
Pyetje nga gazetari: A dihet cilat shtete janë kundër heqjes së masave? Po përmenden Franca, Italia dhe si e konsideroni marrjen e Presidencës së BE-së prej të hënës nga Hungaria, duke e ditur se Hungaria nuk votoi për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, tha se do të votojë kundër, në Asamblenë Parlamentare të NATO-së dhe poashtu nuk ishte në favor të punës së Kuvendit. Çka po ndodhë?
Kryeministri Kurti: 27 shtetet e Bashkimit Evropian janë bashkë në Bashkimin Evropian kjo nuk do të thotë që nuk kanë dallime. Ju e dini që pesë prej tyre nuk na njohin, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro nuk na njohin Republikën e Kosovës. Ne nuk mund t’i barazojmë ato sepse ato nuk janë të barabarta karshi Kosovës. Në anën tjetër edhe kur kemi votime të ndryshme në institucionet e organizmat ndërkombëtarë nuk është që votojnë njësoj, mirëpo sa i përket masave çfarë dallimesh me çfarë nuancash ekzistojnë për besë në Bruksel është përgjigjja, por jo nga unë që ndodhem në Bruksel.
Pyetje nga gazetari: Kurti, a ka sens që të shkohet më tutje në kuadër të dialogut me Serbinë, duke e ditur që jemi në fundin ose jemi në vitin e fundit të qeverisjes tuaj? A mendoni që zgjedhjet e parakohshme eventualisht ose zgjedhjet në këtë situatë edhe nëse nuk i quajmë të parakohshme, nuk do të mundë ta hapnin një lloj shtegu të ri në kuadër të këtij procesi?
Kryeministri Kurti: Kosova është shtet normal demokratik. Marrëdhëniet me Serbinë i kemi jonormale, por për shkak se Serbia nuk është shtet normal demokratik. Që do të thotë se për t’i normalizuar marrëdhëniet nuk duhet të ndryshojë Kosova, por Serbia, dhe ne nuk mund ta ndryshojmë Serbinë pa Bashkimin Evropian, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa Perëndimin demokratik në përgjithësi. Sa kohë merr kjo nuk mund ta dimë, por ne bëjmë krejt çfarë dimë e mundemi dhe mund të them që Kosova sot pas tri vjetëve ka qenë konstruktive në dialog dhe ka përfituar nga dialogu për shkak se ka mbajtur qëndrim parimor dhe ka qenë e durueshme në shpjegimet e nevojshme për partnerët tanë evropianë dhe amerikanë. Unë uroj më të mirën mirëpo nuk mund ta di se kur mund ta kemi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që natyrisht ka kuptim vetëm i bazuar e i organizuar rreth njohjes në qendër.
Pyetje nga gazetari: Po në planin e brendshëm në kuptimin e kërkimit të legjitimitetit...?
Kryeministri Kurti: Po unë u përpoqa të mundësoj zgjedhje të reja demokratike në Kosovë tash që jam në vitin e fundit të mandatit tim dhe kur zgjedhjet e ardhshme nuk janë më çështje vitesh por janë çështje muajsh, thamë ta diskutojmë bashkërisht shpërndarjen e Kuvendit në një muaj dhe stinë të përshtatshme, por duket që pjesa më e madhe e opozitës në Kosovë vetëm një gjë e dëshiron më shumë se sa largimin tim, e kjo është kritikën e sulmin ndaj meje që nënkupton se duhet të vazhdoj të mbetëm kryeministër deri kur më së largu bëhen katër vite, e pastaj nuk do të mund t’i shtyjmë më zgjedhjet.
Pyetje nga gazetari: Por ju jeni të gatshëm për zgjedhje, apo jo?
Kryeministri Kurti: Gjithmonë jam i gatshëm unë edhe për qeverisje demokratike, edhe për zgjedhje të reja parlamentare.
Pyetje nga gazetari: A mund të na flisni për Presidencën hungareze, çka janë pritjet?
Kryeministri Kurti: Po ta shohim, është çështje ditësh kur ata do ta marrin udhëheqjen. Hungaria neve na ka njohur. Është parë që ka marrëdhënie edhe personale midis krerëve të dy shtetëve, në këtë rast me Serbinë, mirëpo unë besoj që duhet t’i japim pak kohë, në muajin korrik dhe gusht, edhe udhëheqjes hungareze në njërën anë, por edhe Komisionit të ri Evropian në anën tjetër, që të mund të japim vlerësime, gjykime të sakta e qëndrueshme.
Pyetje nga gazetari: Përfundimisht a kanë vdekur Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit? A mund ta quajmë të dështuar pas këtij dështimi të takimit trepalësh?
Kryeministri Kurti: Absolutisht jo. Po të pyetej Serbia Marrëveshja Bazike do të zhbëhej, mirëpo ajo (Marrëveshja Bazike) është duke u mbrojtur suksesshëm nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga shteti ynë në përgjithësi me të gjitha institucionet në njërën anë, dhe nga partnerët tanë evropianë dhe amerikanë në anën tjetër. Po të pyetej Serbia, Marrëveshja bazike njëmend do të vritej. /Zëri