Veteranët paralajmërojnë protesta “kundër pushtetit që punon kundër UÇK-së”
Foto: Laura Hasani

Veteranët paralajmërojnë protesta “kundër pushtetit që punon kundër UÇK-së”

Aktuale June 26, 2024 - 13:04

Faton Klinaku nga organizata e OVL së UÇK-së ka paralajmëruar protesta në një reagim që ka bërë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë Qeverisë rreth plotësim-ndryshimit të Ligjit për pagën minimale.

Klinaku ka thënë se Qeveria po punon vazhdimisht kundër veteranëve të UÇK-së dhe shtresave të tjera shoqërore, e për këtë ka paralajmëruar protesta, transmeton Zeri.info.

“Qëndrimet tona se do t'i vazhdojmë protestat kundër këtij pushteti, i cili vazhdimisht ka punuar kundër veteranëve të luftës së UÇK-së dhe shtresave të tjera të shoqërisë, mbeten të pandryshueshme.

Për format dhe kohën e protestimit do të takohemi si organe drejtuese për të vendosur”, thuhet në reagimin e Klinakut.

Kujtojmë se Qeveria nuk e ka përfshirë pensionin e veteranëve në pagën minimale, i cili vazhdon të mbetet 170 euro në muaj. /Zëri