Kurti priti delegacionin nga Bavaria e Gjermanisë, bisedojnë për bashkëpunim ekonomik
Foto: ZKM

Kurti priti delegacionin nga Bavaria e Gjermanisë, bisedojnë për bashkëpunim ekonomik

Aktuale June 25, 2024 - 23:16

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim një delegacion gjerman nga shteti i Bavarisë, të udhëhequr nga Dr. Gerhard Hopp, e të përbërë nga deputetë të Parlamentit bavarez, përfaqësues të Kancelarisë së Bavarisë dhe përfaqësues të bizneseve nga Bavaria, që shoqëroheshin nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Image

Siç njofton zyra e kryeministrit, gjatë bashkëbisedimit, u vënë në theks marrëdhëniet e forta dhe të afërta ndërmjet dy shteteve dhe popujve të dy vendeve, Kosovës dhe Gjermanisë, dhe roli që diaspora shqiptare në Gjermani ka në këtë drejtim.

Kryeministri veçoi se vetëm nga Bavaria mërgata numëron rreth 100 mijë pjesëtarë, thuhet në njoftim.

Krahas diskutimit për zhvillimet politike dhe synimet e Republikës së Kosovës për integrim euroatlantik, për çka parlamentarët bavarez shprehën mbështetjen e tyre, temë ishin edhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, veçanërisht përmes odave ekonomike.

Image

Më tej thuhet se Kurti i njoftoi mysafirët për politikat e qeverisë me qëllim zhvillimin ekonomik dhe punësimin, duke përfshirë këtu sistemin dual të arsimit, të frymëzuar nga modeli i vendeve gjermanofolesë, i cili në Kosovë po gjen zbatim në 23 shkolla në gjithsej 14 komuna me 12 profile, dhe digjitalizimin e shërbimeve për një mjedis më të mirë të të bërit biznes.

“Ai falënderoi të pranishmit për vizitën që po i bëjnë Kosovës dhe mbështetjen për vendin tonë, kurse përfaqësuesve të bizneseve u bëri thirrje që të hulumtojnë mundësitë dhe përparësitë që i ofron Kosova për investitorë të huaj”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Image