Ymeri ia përkujton Halitit të LVV-së: Ke shkelë mbi nënshkrimet e 200 mijë qytetarëve

Ymeri ia përkujton Halitit të LVV-së: Ke shkelë mbi nënshkrimet e 200 mijë qytetarëve

Aktuale June 25, 2024 - 22:41

Në vitin 2015 u mblodhën mbi 200 mijë nënshkrime për të kundërshtuar marrëveshjet e arritura me Serbinë, që përfshinte edhe marrëveshjen për energjinë. Kjo marrëveshje nisi të zbatohet nën Qeverinë Kurti, kur u arrit pajtueshmëri me Serbinë.

E këtë peticionin ia rikujtoi deputetit të VV-së, Enver Haliti, ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili, i tha se “ka shkelur” mbi nënshkrimet e qytetarëve, kur e kanë zbatuar këtë marrëveshje.

“Lexoje peticionin e viti 2015, për energji jemi duke fol. Mos u mundo me i ik temës. Për energji kemi mbledh peticion, mbi 200 mijë qytetarë kanë thanë mos e zbatoni. Ti e ki zbatu marrëveshjen e energjisë edhe e ki shkel votat e 205 mijë qytetare. 205 mijë qytetarë që i kemi shti me zor në Kuvend, të kujtohet, ti e ki shkel”, i ka thënë Ymeri, deputetit të VV-së, në RTV Dukagjini.

Ndërsa, Haliti tha se takimi i së mërkurës në mes të kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mund të përcaktojë në heqjen apo mosheqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Agjendën nuk e di, përndryshe Kosova nuk e ka luksin që të humbë mbështetjen që është ndarë për Ballkanin Perëndimor. Edhe heqja e masave konsideroj që lidhet me pjesëmarrje ose mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim të nesërm”, ka thënë Haliti.

Për këtë takim ka folur edhe vetë Kurti, i cili ka theksuar se do të jetë në funksion të rikapitullimit trevjeçar të procesit të dialogut.