Dëshmitari Fondaj thotë se Thaçi ia komunikoi se ishte emëruar komandant i Brigadës 123

Dëshmitari Fondaj thotë se Thaçi ia komunikoi se ishte emëruar komandant i Brigadës 123

Aktuale June 24, 2024 - 12:10

Dëshmitari Kurtesh Fondaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se ishte Hashim Thaçi ai i cili ia komunikoi se në vitin 1998 është emëruar si komandant i Brigadës 123.

Ai tha se emërimet e niveleve të larta siç kanë qenë komandantët e brigadave janë bërë kryesisht nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm e që sipas tij ishte Bislim Zyrapi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Këtë ditë më 6 tetor 1998, ma ka komuniku emnimin se pata sqaru se emnimet e niveleve të komandantëve të Brigadave janë kryer kryesisht nga Shtabi i Përgjithshëm dhe atë nga Bislim Zyrapi si shef shtabi. Kështu që Hashim Thaçi në këtë ditë ma ka komuniku emërimin dhe me ka thënë ke të drejtën të formosh komandën e brigadës pa pasur nevojë që për ekipin komandues të kërkojë verifikim”, tha dëshmitari Fondaj.

Kurtesh Fondaj tha se emërimi i tij ka ardhur për shkak se ka pasur nevojë për konsolidim në radhët e brigadës, pasi sipas tij edhe ushtria ka qenë gati e shpërbërë në atë kohë.

“Po ndoshta u flitet kështu me kapërcime nuk mund të kuptohet për faktin se ne tash duhet me sqaru se në shtator 98-ës ne kemi pas një ofensive në rajonin e Badokovës, por edhe paraprakisht në muajin gusht të 89 edhe thjeshtë kemi thënë që komanda e brigadës por edhe ushtria ka qenë gati e shpërbeme në atë periudhë. Prandaj duke i pa rrethanat që duhet të rikonsolidohet dhe duhet të punohet në vazhdimin e punës së brigadës atëherë unë mendojë se kjo ka ardh si rezultat kemi fillu me i konsolidu radhët e komandës së brigadës. Të mos harrojmë një fakt që është i vërtetë se Blerim Kuçi si komandant i brigadës atë kohë gjendej në Shqipëri por edhe të gjithë anëtarët e tjerë të brigadës kanë qenë në Shqipëri”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Fondaj e përsëriti serish se shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka bërë emërimin e komandanteve të brigadave, si dhe anëtarëve të tjerë të komandës.

“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka bë emërimin e komandantëve të brigadave dhe ka dhënë miratimin për anëtarët e Komandës së Brigadës”, tha ai.

I pyetur se a ka qenë në atë kohë rregull që përgjegjësitë të miratohen nga Shtabi i Përgjithshëm, dëshmitari u përgjigj “Nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, po”.

Gjithashtu, Fondaj u pyet se pse Thaçi ia delegoi atë autoritet gjatë 1998-ës atij.

“Kam bindjen që ai pat besim në mua ndoshta edhe ndoshta shefi i Shtabit ia ka komuniku, por në atë kohë Shefi i Shtabit nuk ka qenë në territorin e Kosovës dhe komunikimi ka qenë. Prandaj edhe komunikimi me atë ka qenë pothuajse i pamundur. Po ndoshta Hashim Thaçi ka pasur komunikim me Shefin e Shtabit për çka unë besoj që po”, u përgjigj dëshmitari në pyetjen e prokurorit Halling.

Vlen të theksohet se dëshmitari tha se kanë ekzistuar shtabe rajonale para se të krijohen brigadat.