Osmani takohet me ambasadorin britanik, flasin për bashkëpunimin bilateral mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar

Osmani takohet me ambasadorin britanik, flasin për bashkëpunimin bilateral mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar

Aktuale June 23, 2024 - 18:34

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Gjatë këtij takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, si dhe për bashkëpunimin bilateral midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani, sikurse në samitet e kaluara, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim, presidentja dhe ambasadori diskutuan për temat që do të trajtohen në këtë samit, si dhe për kontributin e Kosovës në këtë drejtim. Samiti do të mbahet në ”Blenheim Palace” në Mbretërinë e Bashkuar në korrik.

Po ashtu në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin bilateral në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha të ndryshme.

Në veçanti, sipas kumtesës së Presidencës, Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve britanikë në fushën e mbrojtjes, dhe tha se si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndihet krenare për arritjet e vazhdueshme të vajzave dhe djemve të FSK-së në akademitë më prestigjioze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar. /Zëri