Clarku pranon dekoratën “Dr.Ibrahim Rugova”: Shpresoj që do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me SHBA-në

Clarku pranon dekoratën “Dr.Ibrahim Rugova”: Shpresoj që do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me SHBA-në

Aktuale June 23, 2024 - 10:13

Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, është takuar sot me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Clark ka folur për kohën kur udhëhoqi bombardimet e NATO-s për çlirimin e Kosovës, transmeton Telegrafi.

Ai tha se një rol të jashtëzakonshëm e kishte luajtur LDK dhe kryetari i saj, ish-presidenti Ibrahim Rugova.

“Mendoj se suksesi i intervenimit të NATO-s në dallim me vendet tjera ku ka intervenuar është se në Kosovë funksiononte LDK-ja dhe presidenti Rugova”, tha Clark.

Ai gjithashtu u shpreh se impresionohet secilën herë që viziton Kosovën.

“Shpresoj që do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me SHBA-në dhe ta shihni atë si mike të mrekullueshme. Ne jemi krenarë me ju, për përparimin që keni bërë, për shembullin që keni treguar”, theksoi mes tjerash ai.

Image

Gjeneralit në pension iu nda Dekorata “Dr. Ibrahim Rugova” për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.

Ndërsa, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se kontributi i Clark është një gurthemel në historinë tonë.

“Prania juaj sot këtu është një dëshmi e thellë e lidhjeve të qëndrueshme të miqësisë dhe solidaritetit që keni përfaqësuar përmes shërbimit tuaj të jashtëzakonshëm dhe mbështetjes themelore për popullin e Kosovës. Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit dhe i një përkushtimi të palëkundur për drejtësi dhe paqe’’, tha Abdixhiku.

Wesley Clark shërbeu si Komandant Suprem i Aleatëve në Europë i NATO-s nga viti 1997 deri në vitin 2000, duke komanduar Operacionin e Forcave Aleate gjatë luftës në Kosovë. Ai kaloi 34 vjet në ushtrinë amerikane, duke marrë shumë dekorata ushtarake, disa tituj nderi dhe Medaljen Presidenciale të Lirisë.