Daçiq: Policia do të sigurojë rendin dhe qetësinë publike gjatë festivalit “Mirëdita, dobar dan”

Daçiq: Policia do të sigurojë rendin dhe qetësinë publike gjatë festivalit “Mirëdita, dobar dan”

Aktuale June 22, 2024 - 14:43

Zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq tha sot se policia do të përmbushë detyrën e saj dhe do të sigurojë rendin dhe qetësinë publike gjatë festivalit treditor “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, i cili është paralajmëruar të mbahet më 28 qershor.

Data e mbajtjes së këtij festivali përkon me atë të festës serbe “Vidovdan”, që shënon humbjen e Betejës së Kosovës nga serbët.

Ndërkohë, Daçiqi tha se MPB-ja serbe do t’i përgjigjet me sukses rreziqeve të mundshme që mund të shkaktohen nga vendimi i organizatorëve “për të mbajtur një manifestim për promovimin e kulturës së shqiptarëve të Kosovës për ‘Vidovdan’ në Beograd”, gjë që, siç raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, kundërshtohet nga organizata të shumta dhe “paralajmërojnë protesta dhe masa radikale në rast se mbahet”.

“Në këtë rast duhet të ndahen aspekti politik dhe ai i sigurisë. Çështja është se çfarë është më mirë të bëhet në kuptimin politik, pa i shkaktuar dëm shtetit. Prandaj duhet të sigurohet siguria e pjesëmarrësve të ngjarjes. Nëse festivali mbahet, jemi të gatshëm të sigurojmë rendin dhe paqen publike”, tha Daçiqi.

Kryebashkiaku në detyrë i Beogradit, Alleksandar Shapiq, ka thënë përderisa ai është në krye të kryeqytetit serb, qyteti i Beogradit nuk do të japë asnjë lloj pëlqimi për mbajtjen e “Mirëdita, dobar dan” dhe se të gjitha hapësirat që do të mund të shfrytëzohen do të jenë ekskluzivisht private.