Hamza: Po del se Vetëvendosje nuk ka dashur zgjedhje, sepse do të mjaftonin votat
Foto: Laura Hasani

Hamza: Po del se Vetëvendosje nuk ka dashur zgjedhje, sepse do të mjaftonin votat

Aktuale June 22, 2024 - 10:10

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se partia në pushtet – Vetëvendosje nuk e kanë pasur seriozisht shkuarjen në zgjedhje. Ndërkaq, është gogja optimist se në zgjedhjet e ardhshme do të jetë kryeministër.

Hamza ka thënë se e gatshme për zgjedhje ka qenë veç partia e tij, ndërsa shpreh gatishmërinë për bashkëpunuar me të gjitha partitë në vend, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne kemi qenë të hapur gjithmonë jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike, me këto që janë në opozitë dhe me partinë në pushtet, për çështje të caktuara të cilat janë në interes të vendit në interes të Kosovës. I kemi dallimet tona politike, konceptualisht në aspektin programor jem më të afërt më disa parti në opozitë, ndërsa për shkuarjen në zgjedhje del se e vetmja Partia Demokratike e Kosovës e ka pasur seriozisht dhe ka qenë e gatshme. Ne kemi deklaruar që cilado prej mundësive juridike që vjen në shprehje, ne jemi të gatshëm që ta japim kontributin tonë, edhe përmes dorëheqjes së kryeministrit, gjë të cilën nuk është duke e bërë; edhe përmes mocionit të mosbesimit”, ka thënë Hamza.

Ai ka numëruar arsyet se përse vendi duhej të shkonte në zgjedhje sa më parë, në çfarëdo mënyre që kjo do të mundësohej.

“Partia Demokratike e Kosovës sigurisht që do t’i japë 18 votat e veta (për rrëzimin e Qeverisë). Kemi qenë të gatshëm që të bashkëpunojmë më të gjitha partitë që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje, për shkak se gjendja ekonomike, mirëqenia e qytetarëve, ngritja e çmimeve, dobësimi i standardit, gjendja në arsim e shëndetësi nuk janë si mundet dhe duhet me qenë dhe duhet me qenë”.

“Për këtë arsye, Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e gatshme dhe e përgatitur me shku në zgjedhje, mirëpo del që partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dashur zgjedhje, për arsye se sikur të kishte dashtë zgjedhje kanë qenë të mjaftueshme votat e shumicës dhe votat e Partisë Demokratike që vendi të shkojë në zgjedhje. Por po del që ata po proklamojnë dhe thonë që kemi qenë të gatshëm e në fakt nuk kanë qenë të gatshëm. Derisa dy partitë e tjera opozitare që janë prezente në Kuvendin e Kosovës nuk kanë treguar ndonjë vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje. Sidoqoftë jemi në muajt e fundit dhe prapë se prapë zgjedhjet do të vijnë”, ka thënë Hamza.

Hamza i cili aktualisht drejton Mitrovicën e Jugut, është optimist se do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Ka thënë se po punojnë fortë për të arritur këtë objektiv.

“Ne punojmë shumë që Partia Demokratike e Kosovës ta ketë kryeministrin dhe unë besoj që kryeministri i ardhshëm do të jetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e siç dihet unë jam i propozuar zyrtarisht për kryeministër të Republikës së Kosovës. Ne do të punojmë që kryeministrin ta ketë Partia Demokratike”, ka thënë Hamza.