Presion për ta shkarkuar drejtorin Ahmetxhekaj nga RTK-ja, reagojnë AGK-ja dhe organizatat ndërkombëtare
Foto: Laura Hasani

Presion për ta shkarkuar drejtorin Ahmetxhekaj nga RTK-ja, reagojnë AGK-ja dhe organizatat ndërkombëtare

Aktuale June 21, 2024 - 15:41

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i është bashkuar shqetësimit të organizatave evropiane dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, pjesë e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës, rreth atyre që i quajnë përpjekje për ndërhyrje politike në shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Transmetuesit Publik, RTK.

Organizatat evropiane dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, pjesë e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës në një letër të hapur për Bordin e RTK-së kanë thënë se janë të shqetësuara në lidhje me zhvillimet në transmetuesin publik.

“Ne jemi të shqetësuar me krizën në RTK lidhur me presionin politik që po bëhet për largimin e drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj. Kjo temë është ngritur për herë të parë nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon-Taubadel me 15 janar 2024, ku ajo përmend përpjekjet për të zëvendësuar drejtorin aktual me një individ pro-Qeverisë”, thuhet në letër.

Organizatat evropiane kujtojnë që çdo ndërhyrje politike në menaxhmentin e Transmetuesit Publik do të ishte thellësisht jodemokratike.

“Ahmetxhekaj është emëruar drejtor i përgjithshëm nga Bordi juaj në vitin 2022, për një mandat trevjeçar nëpërmjet një procedure të hapur dhe pluraliste dhe i ka udhëhequr reformën dhe transformimet në RTK. Procesi i emërimit është vlerësuar si i bazuar në merita nga Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja dhe është mirëpritur nga organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja në Kosovë”.

Organizatat e lirisë së mediat po ashtu kujtojnë se duke marrë parasysh aplikimin e Kosovës për t’u bërë vend anëtar i Këshillit të Evropës, kjo organizatë beson se transmetuesi i pavarur publik është themeli i demokracisë dhe kontribuon në forcimin e kohezionit social.

“Ekzistimi i një transmetuesi publik profesional dhe të pavarur është gjithashtu kërkesë në rrugën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Së fundi, vendime të tilla janë të rëndësishme edhe në procesin e RTK-së për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Eurovision” thuhet mes të tjerash në letër.