Bislimi takon Jençën, e njofton për avionët luftarakë serbë përreth kufirit me Kosovën

Bislimi takon Jençën, e njofton për avionët luftarakë serbë përreth kufirit me Kosovën

Aktuale June 21, 2024 - 14:55

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ndihmëssekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Mirosllav Jença.

Në njoftimin për medie thuhet se ndihmëssekretari Jença po zhvillon një tur ballkanik, ndalesë e radhës e së cilës është vendi ynë, ku do të qëndrojë në një vizitë dyditore.

“Përgjatë takimit, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi atë me situatën në vend e rajon, objektivat e Qeverisë dhe të arriturat në tre vjetët e fundit. Ai theksoi se vendi po avancon e zhvillohet me ritëm të shpejtë, pavarësisht barrierave me të cilat po përballemi. Sipas të dhënave më të fundit dhe nga ASK-ja, tremujori i parë i këtij viti ka shënuar rritje ekonomike në nivelin 5.62 %. Edhe projeksionet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitet e ardhshme, si dhe rankimet ndërkombëtare të Kosovës në shumë fusha, qëndrojnë si dëshmi e progresit të vendit tonë”, theksohet në njoftimin e Qeverisë.

“Zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se rritja e BPV-së, rritja e punësimit, sundimi i ligjit, integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, janë synime qenësore për Qeverinë”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, në takimin e tyre është diskutuar edhe mbi procesin e dialogut. Zëvendëskryeministri e ka njoftuar ndihmëssekretarin Jença për zhvillimet e fundit, duke shprehur konstruktivitetin dhe angazhimin e vazhdueshëm të palës së Kosovës në këtë proces, i cili, fatkeqësisht, është përballur me destruktivitetin dhe mungesën e vullnetit e gatishmërisë për hapa më tutje dhe zbatim të marrëveshjeve nga pala tjetër.

“Mbi qasjen destruktive dhe kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën, zëvendëskryeministri rikujtoi se fqinji ynë verior ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, në vazhdimësi mban ushtrime e stërvitje të mëdha ushtarake pak kilometra larg kufirit me shtetin tonë dhe fluturon avionët luftarakë MIG 29 përreth kufirit”, theksohet në njoftim.

Në përfundim të takimit, zëvendëskryeministri e falënderoi Jença për bisedën e zhvilluar, si dhe i dëshiroi qëndrim të këndshëm në Kosovë.