Biseda me Radojçiqin, Molliqaj: VV-ja ka vdekur si frymë dhe si koncept
Foto: Laura Hasani

Biseda me Radojçiqin, Molliqaj: VV-ja ka vdekur si frymë dhe si koncept

Aktuale June 19, 2024 - 22:27

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka komentuar bisedën e incizuar mes shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lilës, dhe Milan Radojçiqit.

Sipas Molliqajt, kjo situatë është një tregues se Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka humbur frymën dhe konceptin e saj.

“Kjo është një prej treguesve që VV-ja ka vdekur edhe si frymë edhe si koncept. Për mua është e papranueshme që as një anëtarë i këshillit të përgjithshëm, as një aktivist që ka kontribuar shumë, as një deputet as një ministër mos me kundërshtu bre. Kjo është kur vdes klinikisht që quhet, tash më s’ka aty as parim as vlera as asgjë, po donë udhëheqësi jonë e mbron ai e mbrojmë na. Nëse me thënë Kurti që duhet me djeg në turr të drurëve Mimoza Kusarin se ka fol me Radojçiqin ose me dikë tjetër, ata thonë e djegim kjo i bie e vdekur”, ka deklaruar Molliqaj.

Molliqaj ka theksuar gjithashtu se problemi shkon përtej bisedave me kriminelët serbë, duke ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare.

Ai përmendi rastin e Martin Berishajt, duke shprehur edhe dyshimet për lidhje me mafian energjetike serbe.

“Ma shumë se që kanë fol me kriminel serbë, kjo qartazi është problem. Këtu ka çështje të sigurisë kombëtare, dy janë shumë të nivelit të madhe që nuk po trajtohen. Pagesat që i janë bërë Martin Berishajt me miliona të cilat i ka tërhequr kesh në një kompani që e ka krijuar veç vet nga kompani që janë të shteteve tjera që kontrollohen nga mafia energjetike e Serbisë, ajo është çështje e sigurisë para se me qenë e korrupsionit”, ka deklaruar tutje ai.