U pyet për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë e Kinën, Vuçeviqi përmend rolin e tyre në lidhje me çështjen e Kosovës

U pyet për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë e Kinën, Vuçeviqi përmend rolin e tyre në lidhje me çështjen e Kosovës

Aktuale June 18, 2024 - 14:37

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ndodhet në Athinë, ku u takua me të dërguarin në largim të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe më pas mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare kushtuar paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Pas arritjes në kryeqytetin grek, Vuçeviqi është takuar me Lajçakun, këtë e ka konfirmuar edhe qeveria serbe, por pa dhënë detaje për vetë takimin, si dhe për temat që kanë biseduar.

Vuçeviqi në orët e vona të pasdites së djeshme mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm”.

Ai iu drejtua panelit “Perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe rëndësia e tyre për të ardhmen e Evropës. Jemi në një periudhë stagnimi apo po ndërtojmë një moment të ri?”.

Në këtë konferencë përveç Vuçeviqit dhe përfaqësuesve të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, mori pjesë edhe Lajçaku. Fokusi i fjalimit të panelistëve ishte në rrugën e rajonit drejt Bashkimit Evropian.

Krahas nënvizimit se Serbia është e përkushtuar në këtë rrugë, Vuçeviqi e ka prekur disa herë çështjen e Kosovës, duke thënë se Kosova është çështja më e vështirë për serbët.

“Megjithatë, mendoj se me integrimin evropian dhe partnerët dhe institucionet nga BE-ja, duke përdorur mjetet, njohuritë dhe përvojën e tyre, mund të jemi më afër pajtimit në terren” Kjo është e rëndësishme”, tha Vuçeviqi.

Ai ka pretenduar se BE-ja do të jetë e plotë vetëm kur të pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor, por se po shtrohet pyetja kryesore – po diskutojmë perspektivën e anëtarësimit apo të ardhmen evropiane, si dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë “pesë shtete dhe një krahinë”!

“Kur flasim për Ballkanin Perëndimor, mund të flasim vetëm për pesë shtete dhe një krahinë për sa i përket ligjit ndërkombëtar”.

I pyetur për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, Vuçeviqi tenton të arsyetohet me pretendimin për rolin e tyre në lidhje me çështjen e Kosovës.

“Ne kemi një qëndrim specifik dhe duhet të vazhdojmë marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, për shkak të votave të tyre në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për çështjen e Kosovës, mos harroni këtë”, ka thënë ai.

“Ne thjesht po ju pyesim, nëse të gjithë flisni për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, pse ka problem kur ne nga Serbia përmendim të njëjtën çështje? Si ka mundësi që kur Serbia përmend Kosovën, merr përgjigje: mos e përmendni këtë, shikoni në të ardhmen, ky është një rast sui generis”.