Pacolli pas deklaratave të Stanos: Nga BE-ja dëgjuam se është paraparë heqja e masave
Foto: Laura Hasani

Pacolli pas deklaratave të Stanos: Nga BE-ja dëgjuam se është paraparë heqja e masave

Aktuale June 18, 2024 - 14:32

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga LVV-ja, Fitore Pacolli, duke komentuar deklarimet e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili i ka quajtur spekulime paralajmërimet e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për heqjen e masave, tha se kanë dëgjuar nga zyrtarët e BE-së se në raportin e Borrellit, që pritet të prezantohet para Këshillit të Ministrave, parashihet heqja e masave ndaj Kosovës.

“Në bazë të deklarimeve apo nga ato që i kemi dëgjuar nga Bashkimi Evropian është paraparë që në raport të përmbajë heqjen e masave. Ne kemi theksuar disa herë që vendosja e masave ka qenë e padrejtë dhe duhet të hiqen sa më parë që është e mundur. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe çfarëdo deklarimi se nuk do të hiqen masat është i papranueshëm. Kërkojmë nga BE-ja që masat të largohen sa më parë që të jetë e mundur”, tha Pacolli për RTV21.

Pas deklaratave të së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili javën e kaluar ka thënë se “ka informacione që është rekomanduar heqja e masave nga BE-ja”, ka reaguar dje zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ai ka deklaruar se raporti për hapat që ka ndërmarrë Kosova për përmbushjen e detyrimeve i është deleguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, nga Këshilli i BE-së, por që shtoi se s’është e nevojshme që dikush nga jashtë të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret e raportit.

“Kjo është një çështje institucionale mes përfaqësuesit të lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është përfaqësuesi i lartë ai që do ta dërgojë raportin te vendet anëtare. Ato do të jenë të parat që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti, dhe kjo ende nuk ka ndodhur”, ka theksuar Stano.

Më tej ai ka sqaruar se Borrelli do të dërgohet fillimisht te vendet anëtare, të cilat do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen e tij, para se të marrin vendimet e nevojshme.

“Kjo është diçka institucionale mes përfaqësuesit të lartë dhe vendeve anëtare. Kështu që nuk na duhet dikush nga jashtë që të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret. Do të bëhet në kohën e përshtatshëm për përfaqësuesin e lartë dhe vendet anëtare, që do të jenë të parat që do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen, para se të marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo do të ndodhë, atëherë do t’i kumtojmë rezultatet. Nuk ka hapësirë dhe arsye për spekulime publike nga akterë të ndryshëm”, deklaroi Stano.