Reagon Lista Serbe: Rashiqi s’është e as s’ka qenë asnjëherë përfaqësues i serbëve, s’ka legjitimitet të flasë për Asociacionin
Deklarata e ministrit serb për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, se ai është i gatshëm të kontribuojë në formimin e draftsatutit të Asociacionit kurdo që atë e themelon Qeveria e Kosovës, ka ngjallur reagime.
Është Lisa Serbe ajo e cila ka reaguar, duke theksuar se Rashiqi nuk i përfaqëson serbët e Kosovës, përcjell Zeri.info.
Sipas Listës Serbe, Rashiqi asnjëherë s’ka qenë dhe s’do të jetë përfaqësues i serbëve të Kosovës dhe se asnjë deputet s’ka votuar për zgjedhjen e tij në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
“I rikujtojmë opinionit se serbët nuk i kanë dhënë Rashiqit asnjë votë dhe se nuk ka asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës që do të thotë se ai nuk ka absolutisht legjitimitet të flasë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ose për qëndrimin e popullit serb, sidomos për shkak se ai është pjesë e regjimit që bën çdo ditë që gjërat të përkeqësohen për serbët”, thuhet në reagimin e Listës Serbe. /Zëri