Thaçin e vizitoi i vëllai për Bajram: Të fala keni nga Haga

Thaçin e vizitoi i vëllai për Bajram: Të fala keni nga Haga

Aktuale June 17, 2024 - 08:17

Edhe pse u mungon liria, pasi po mbahen qe afër 4 vjet në paraburgim në Hagë, ish-krerët e UÇK-së edhe ditën e djeshme e kanë kaluar me vizita të familjarëve dhe së bashku me njëri-tjetrin.

Idriz Thaçi, vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, dje në ditën e Kurban Bajramit e ka vizituar të vëllanë në Hagë.

“E vizitova, ia urova festën e Bajramit në emër të familjes dhe gjithë dashamirëve. Shpresojmë që së shpejti do të mund të festojmë bashkë në Kosovë. Edhe ai ua uroi festën të gjithëve dhe është shumë mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të të gjithë qytetarëve. Janë të gjithë mirë. Janë bashkë dhe të pathyeshëm. Besojmë shumë që ky proces i padrejtë do të përfundojë në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm dhe ata do të lirohen dhe do të kthehen te familjet e tyre, në vendin e tyre. Të fala keni nga Haga!”, ka thënë për Demokracia.com, Idriz Thaçi, pas përfundimit të vizitës së djeshme tek ish-presidenti Thaçi në Hagë.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, po mbahen në Njësinë e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Ky proces gjyqësor është shoqëruar me skandale të kohëpaskohshme dhe me jotransparencë të madhe deri më tash.