Në festën e Kurban Bajramit bëhet thirrje për dashuri ndaj atdheut
Foto: Laura Hasani

Në festën e Kurban Bajramit bëhet thirrje për dashuri ndaj atdheut

Aktuale June 16, 2024 - 06:48

Besimtarët e fesë islame po kremtojnë festën e Kurban Bajramit edhe në Kosovë.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar kësaj feste, u mbajtë në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.

Myslimanët në tërë botën, ashtu edhe në Kosovë, sot po kremtojnë festën e Kurban Bajramit, festë kjo e cila simbolizon sakrificën e besimtarëve ndaj Zotit dhe humanitetin ndërmjet njerëzve.

Mesazhin e Kurban Bajramit e mbajti myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili tha se shprehja e atdhedashurisë në lutjet e përditshme është një dhuratë e pashtershme.

 “Është detyrë e jona që ta duam, ta ruajmë dhe ta mbrojmë vatanin tonë. Është detyrë që të bëhemi qytetarë të një vendi që jetojmë me dinjitet e për t’u bërë të tillë kërkohet që të jemi bashkë duke promovuar atë në të gjitha fushat dhe në çdo vend, por edhe Kurban Bajrami është një rast i mirë për t’iu afruar Zotit me vepra tona të mira, për ta falënderuar atë për bekimin e tij, për të pastruar shpirtin dhe zemrën. Këtë e arrijmë duke kryer vepra të mira, duke zgjatur dorën për të varfëritë dhe nevojtaret”, tha ai.

Myftiu Tërnava ftoi çiftet e martuara që të kenë më shumë fëmijë ngase edhe këtë, sipas tij, ia kemi borxh Kosovës tonë.

“Bashkërisht mund të bëjmë edhe më shumë në rritjen ekonomike, rritjen e standardeve për një jetë më të mirë në Kosovë në mënyrë që të zvogëlojmë migrimin e popullatës tonë nëpër vendet e botës. Në anën tjetër shohim që nataliteti ka rënë, se Kosova dhe vendet e tjera shqiptare po zbrazën në përmasa të madhe, qiftet e reja nuk bëjnë më shumë se një apo dy fëmijë. Ftojë çiftet e martuara që të kenë më shumë fëmijë ngase edhe këtë ia kemi borxh Kosovës sonë. Të mos frikësohen çiftet e reja për riskun e familjes ngase risku është moment i Zotit. Të mos bëhemi shkaktar për mbylljen e foshnjoreve, çerdheve, shkollave e xhamive, ngase do të na gjykoj e ardhmja e vendeve tona”, tha ai, raporton rtk.

Me rastin e Kurban Bajramit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës si tradicionalisht organizon pritje në selinë e saj nga ora 9:00-12:00.

Kremtimi i Kurban Bajramit, sipas traditës islame nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.