Myslimanët kremtojnë Kurban Bajramin, festën e besimit dhe sakrificës
Foto: Laura Hasani

Myslimanët kremtojnë Kurban Bajramin, festën e besimit dhe sakrificës

Aktuale June 16, 2024 - 06:07

Besimtarët e fesë islame kremtojnë sot Kurban Bajramin, i cili sipas traditës islame nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

Manifestimi kryesor kushtuar Kurban Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Me rastin e kësaj feste, kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban Bajramit, duke e lutur Zotin që të na pranoj haxhin, kurbanin, lutjet dhe ibadetet tona. Me fat festa e Kurban Bajramit! “, thuhet në njoftim.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, uroi besimtarët islam me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në mesazhin drejtuar besimtarëve, ai tha se kjo është festë e çmuar dhe e shenjtë. Sipas myftiut, festat e myslimanëve duhet të shfrytëzohen për të sjellë gëzim dhe lumturi te personat që kanë nevojë.

“Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim në zemrat e atyre që kanë nevojë, duke trajtuar të sëmurët e vizituar të afërmit, duke shkëmbyer urime me miqtë dhe duke i mbjellë këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Vetëm kështu forcojmë edhe më shumë trungun tonë familjar, e ushqejmë atë me vlerat fetare dhe kombëtare, dhe e ruajmë atë me një pastërti fisnike, ashtu siç e kemi amanet nga të parët tanë”, ka thënë, pos tjerash, Naim Tërnava, Myfti i Kosovës. /Zëri