Myslimanët sot kremtojnë Kurban Bajramin

Myslimanët sot kremtojnë Kurban Bajramin

Aktuale June 16, 2024 - 06:04

Myslimanët si në tërë botën, ashtu edhe në Kosovë, sot e kremtojnë festën e Kurban Bajramit, festë kjo e cila simbolizon sakrificën e besimtarëve ndaj Zotit dhe humanitetin ndërmjet njerëzve.

Dita e parë e festës së Kurban Bajramit, është të dielën, më 16 qershor. Bashkësia Islame e Kosovës njofton se manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

"Manifestimi fillon në orën 4:19, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbajë Hetem ef. Sopjani – kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë”, njofton BIK.

Sipas njoftimit, namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:34, të cilit do t’i prijë Burhan ef. Hashani- kryeimam i Këshillit të BI-së së Prishtinës, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Me rastin e kësaj feste, kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban Bajramit, duke e lutur Zotin që të na pranoj haxhin, kurbanin, lutjet dhe ibadetet tona. Me fat festa e Kurban Bajramit! “, thuhet në njoftim.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, uroi besimtarët islam me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në mesazhin drejtuar besimtarëve, ai tha se kjo është festë e çmuar dhe e shenjtë. Sipas myftiut, festat e myslimanëve duhet të shfrytëzohen për të sjellë gëzim dhe lumturi te personat që kanë nevojë.

“Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim në zemrat e atyre që kanë nevojë, duke trajtuar të sëmurët e vizituar të afërmit, duke shkëmbyer urime me miqtë dhe duke i mbjellë këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Vetëm kështu forcojmë edhe më shumë trungun tonë familjar, e ushqejmë atë me vlerat fetare dhe kombëtare, dhe e ruajmë atë me një pastërti fisnike, ashtu siç e kemi amanet nga të parët tanë”, ka thënë, pos tjerash, Naim Tërnava, Myfti i Kosovës.