Zëvendëspresidentja e PE-së: Shpresoj që së shpejti Kosova të bashkohet në familjen e madhe të BE-së

Zëvendëspresidentja e PE-së: Shpresoj që së shpejti Kosova të bashkohet në familjen e madhe të BE-së

Aktuale June 12, 2024 - 21:27

Të mërkurën u bënë 25 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Pina Picierno, ka uruar popullin e Kosovës në 25 vjetorin e çlirimit.

Në një shkrim në platformën “X”, ajo tha se shpreson që së shpejti Kosova të bashkohet në familjen e madhe të Bashkimit Evropian.

“Kosova sot feston Ditën e saj të njëzetepestë të Çlirimit, e cila përkon me përvjetorin e përfundimit të konfliktit të armatosur pas tërheqjes së forcave serbe të Sllobodan Millosheviqit dhe ardhjes së afërsisht të KFOR-it, forcës paqeruajtëse të NATO-s. Shpresoj që së shpejti të mund ta mirëpres Kosovën në familjen e madhe të Bashkimit Evropian”, shkroi Picierno.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian – gati 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Më 15 dhjetor 2022 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte dorëzuar Çekisë – vendit që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian – aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.