Kurti: Themelet e shtetit janë të forta, u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve
Foto: Laura Hasani

Kurti: Themelet e shtetit janë të forta, u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve

Aktuale June 12, 2024 - 20:47

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen shtetërore me rastin e 25-vjetorit të çlirimit falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar për lirinë e Kosovës, vendorët e ndërkombëtarët.

“Javët e muajt e pranverë 1999 ishin të vështira. Plani gjenocidal Patkoi sollën humbje, vuajtje e shkatërrim pa masë në mbarë Kosovën. Por, kur ushtarët e parë të NATO-s hynë në Kosovë, fytyrat e mbuluara nga pikëllimi dhe sytë që kishin parë ditë të errëta, filluan të shkëlqenin me lot gëzimi. Populli i Kosovës i priti ushtarët e NATO-s me zemra të hapura, si çlirimtarë, njësoj si luftëtarët e UÇK-së. Ushtarëve iu ofruan lule, gjersa valëviteshin flamujt e Amerikës, Britanisë, Gjermanisë, krahas flamurit kombëtar shqiptar”, deklaroi Kurti.

Ai tha se falë sakrificës së popullit, rezistencës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së Aleancës më të madhe ushtarake ne historinë e njerëzimit NATO-s, Kosova e gëzon lirinë.

“Prandaj sot themelet e shtetit tonë janë të forta sepse ato u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve nga qëndresa e popullit dhe me mbështetjen e aleatëve”, deklaroi Kurti.

Në këtë ditë lista e falënderimeve kryeministri veçoi katër figura politike ndërkombëtare, që mbajnë emrat edhe sheshet dhe rrugët e Kosovës.

“Dua të veçoj katër persona: Bill Klinton, Tony Blair, Madeline Albright dhe Wesley Clark. Për ta historia e Kosovës do të ruajë faqet më të ndritura për rolin e tyre në lirinë tonë”, tha Kurti.

Kurti citoi kryeministrin Toni Bleair, “Liria në vetvete nuk mjafton”, e theksoi se nuk mjafton pa institucione demokratike dhe sundimin e ligjit.

“Sepse e kemi parë sa lehtë atë e marrin nga brenda autokratët, nuk mjafton pa lirin e shprehjes dhe lirin e medies, pa të drejtën për të kritikuar dhe protestuar pa frikën e ndëshkimit, por nuk mjafton edhe pa shanset e barabarta për sukses në jetë”, tha ai.

Një çerek shekulli pas largimit të forcave të armatosura të okupatore të Serbisë, Kosova sipas kryeministrit Albin Kurti, është kampione në Ballkanin perëndimor për progres në demokraci dhe në sundim të ligjit, për respektim të të drejtave të njeriut dhe luftim të korrupsionit.