Osmani në pritjen shtetërore: Në fytyrat e fëmijëve shihet liria
Foto: Laura Hasani

Osmani në pritjen shtetërore: Në fytyrat e fëmijëve shihet liria

Aktuale June 12, 2024 - 20:42

Presidentja Vjosa Osmani ka uruar edhe një herë të gjithë qytetarët e Kosovës për 25-vjetorin e ditës së çlirimit, duke falënderuar edhe miqtë ndërkombëtarë që ndihmuan atëherë e që po ndihmonin edhe tash në ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës. Këtë deklaratë Osmani e dha në pritjen shtetërore për liderët vendorë e ndërkombëtarë për rastin e ditës së çlirimit.

Osmani uroi sot të gjithë, derisa foli për fëmijët e Kosovës, në fytyrat e të cilëve, sipas saj, shihet gëzimi dhe lumturia e lirisë.

“Faleminderit gjithsecilit që ka kontribuuar që ne ta gëzojmë ditën e sotme, nga secili qytetarë, secila familje sepse nuk ka shtëpi në Kosovë që nuk ka dhënë kontribut për liri në një mënyrë apo në një tjetër, e deri tek secili mik i yni nga ata që kontribuuan në 99-tën e deri tek këta që i kemi sot me ne, dhe nuk na lënë vetëm as në ditët e sotme”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova po ecën e fortë si një shtet demokratik dhe si një shembull i jashtëzakonshëm, i cili tani është në gjendje t’u dal në ndihmë edhe shteteve të tjerëve që kanë nevojë për këtë ndihmë.