Dikur të trishtuar, sot të mahnitur: Kosova në sytë e fotoreporterëve të luftës

Dikur të trishtuar, sot të mahnitur: Kosova në sytë e fotoreporterëve të luftës

Aktuale June 12, 2024 - 18:50

Vjeshtë, 1998. Disa shqiptarë të Kosovës, të zhvendosur nga lufta, po bëheshin gati të varrosnin një foshnje 5-javëshe, e cila kishte vdekur në mal.

Dëshmitar i kësaj ngjarjeje në Drenicë – pjesa qendrore e Kosovës – ishte fotoreporteri amerikan i luftës, Ron Haviv, i cili e dokumentoi përmes fotografisë.

Viti i njëjtë, rajoni i njëjtë. Civilë shqiptarë të ekzekutuar – në mesin e tyre edhe fëmijë.

Një djalë i tronditur duke shikuar të vrarët, që mund të ishin edhe familjarë të tij.

I ulur pranë edhe Wade Goddard, po ashtu fotoreporter i huaj.

Image
Trupat e pajetë të Gentiana Delijajt, 7 vjeçe, dhe Donjeta Delijajt, 5 vjeçe, si dhe të nënës së tyre, në vendin ku ishin ekzekutuar nga policia speciale serbe në mëngjesin e 26 shtatorit 1998, në fshatin Abri e Poshtme.

“Isha i shokuar. Nuk punova si zakonisht… I bëra disa fotografi, por ishte një nga gjërat më tronditëse që kisha parë… Fëmijë të ekzekutuar në pyll”, kujton sot Goddard për Radion Evropa e Lirë.

Dy kolegët raportuan për luftën e viteve 1998/99 në Kosovë – i pari për gazetën Newsweek, i dyti për New York Times dhe pastaj Newsweek.

Një çerek shekulli më vonë, rruga i solli sërish në Kosovë, në ngjarje për nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit.

Të lumtur shprehen të dy me atë që shohin sot.

Image
Ron Haviv gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, në Prishtinë, më 10 qershor 2024.

“Duke kuptuar mentalitetin e kosovarëve, qëndrueshmërinë e tyre, dëshirën e tyre për atdhe, për atdhe të suksesshëm… [nuk jam i befasuar sot]”, thotë Haviv për Radion Evropa e Lirë.

“Një numër shumë i madh i njerëzve të shpërngulur u kthyen në Kosovë [pas luftës], sapo patën mundësi, nuk qëndruan në Kanada, apo SHBA, apo Evropë… Kthimi i tyre në shtëpi tregoi se kjo do të ishte një histori e pashmangshme suksesi”, thotë ai.

Në rrugët e Prishtinës tregon se i kishte rënë në sy një pano me mbishkrimin “Ukraina e Lirë” – një mesazh ky i Kosovës për vendin e pushtuar nga Rusia.

Thotë se shpreson që edhe ukrainasit, një ditë, të jenë “të suksesshëm në tranzicion siç ka qenë Kosova”.

Image
Fotoreporteri Wade Goddard gjatë një bisede me Radion Evropa e Lirë, në maj të 2024-tës.

“I mahnitur” me, siç thotë, “transformimin dramatik” të vendit shprehet Goddard.

“Kur isha më 1999, qendra e Kosovës [Prishtina] ishte një qytet provincial, tani është një metropol, është e bukur”, thotë ai.

“Funeralet e fëmijëve, grave, civilëve…”

Para Kosovës, Haviv dhe Goddard kishin raportuar për luftërat e viteve ’90 edhe në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

E dinin se vrazhdësi e ngjashme i priste edhe në Kosovë.

“Nganjëherë ishte shumë brutale, nganjëherë shumë paqësore, varësisht se në cilin vend ndodheshe fizikisht”, thotë Haviv, atëkohë në mesin e 30-tave.

“Mund të vozisje në rrugën kryesore dhe të shihje majtas fshatra që digjeshin… mund të vozisje për dhjetë minuta të tjera dhe të shihje fëmijë duke luajtur jashtë”, kujton ai.

Përmes shumë fotografive të tij, bota mësoi për dhunën e forcave të atëhershme serbe kundër shqiptarëve të Kosovës – vrasjet, shpërnguljet, shkatërrimet e pronave.

Image
Gra shqiptare të Kosovës duke qarë në një dhomë për disa fëmijë dhe babanë e tyre, të cilët po ktheheshin në territorin e Kosovës nga Shqipëria, kur u vranë nga forcat serbe, një kilometër larg shtëpisë së tyre, në Drenicë, Kosovë, më 12 korrik 1998.

Por, në kujtesën e Havivit vend të veçantë zënë “funeralet e fëmijëve, grave, civilëve…”.

“Kam biseduar me shumë, shumë njerëz, shumë ushtarë, shumë fëmijë, familje, për ëndrrat e tyre, shpresat e tyre, dëshirat e tyre… Njerëzit ishin të tronditur nga ajo që po u ndodhte”, thotë sot 59-vjeçari.

“Nuk e dija që fotografova Adem Jasharin”

Teksa flet për vitet e luftës, kolegu i tij, Goddard, kujton pashmangshëm një qëndrim në Drenicë, ku thotë se takoi themeluesin e Ushtrisë së atëhershme Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

“… por, gjatë intervistës, ai tha se ishte vëllai i Adem Jasharit dhe mendoj se këtë e bëri për qëllime sigurie”.

“Më vonë mora vesh se ishte Adem Jashari, sepse e njoha kur pashë [dhe fotografova] trupin e tij, pasi u vra muaj më vonë”, thotë Goddard.

Atëkohë në fillim të 30-tave, edhe ai dokumentoi ndodhi anekënd Kosovës – nga protestat e studentëve në Prishtinë, civilët e vrarë në zonën e Drenicës, fëmijët e uritur, ushtarët në vijën e frontit, pronat e shkatërruara e deri te kampet e refugjatëve.

“Kur e kujtoj Kosovën, në mendje i kam fëmijët e vrarë dhe imazhet e njerëzve që vuanin”, thotë fotografi me prejardhje nga Zelanda e Re.

Image
Shqiptarë të Kosovës duke kërkuar strehim në një pyll, nga frika e më shumë sulmeve nga forcat serbe, më 1 mars 1999.

Nga vendi atëkohë në luftë, Goddard dhe Haviv u larguan në fund të marsit ’99, kur NATO-ja nisi bombardimet e caqeve të ushtrisë serbe, me qëllim ndaljen e dhunës në Kosovë.

Dy fotoreporterët u zhvendosën përtej kufijve, për të dokumentuar refugjatët kosovarë në Shqipëri dhe në Maqedoninë e atëhershme.

Ishin me qindra mijëra të vendosur në kampe e në shtëpi private.

Haviv kujton se disa fëmijë në një kamp në Kukës të Shqipërisë – pak kilometra larg kufirit me Kosovën – i vizitonte shpesh.

“Ata dhe familjet e tyre po përpiqeshin të mbijetonin”, thotë ai.

“Kujtimet e asaj dhimbjeje dhe vuajtjeje nëpër të cilat kaluan kosovarët, [janë të paharrueshme]…”, thotë ai.

Image
Refugjatë shqiptarë nga Kosova, të dëbuar nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe, duke marrë bukë nga pjesa e pasme e një kamioni, në një rrugë në qytetin e Kukësit, në Shqipëri.

Gëzim, lumturi…

NATO-ja i ndërpreu bombardimet më 10 qershor të ’99-ës, pasi Serbia ishte dakorduar t’i tërhiqte forcat e saj nga Kosova.

Dy ditë më vonë, nisi dislokimin një mision paqeruajtës në vend, i udhëhequr nga NATO-ja.

Teksa ushtarët e huaj mbërrinin, ktheheshin edhe refugjatët. E, bashkë me ta edhe dy fotoreporterët e huaj.

“Më kujtohet Dita e Çlirimit kur trupat kaluan… Kishte gëzim dhe lumturi. Ishte diametralisht e kundërt me kohën kur fotografoja në Kukës, kur njerëzit po iknin [nga Kosova]…”, thotë Haviv.

Image
Shqiptarë të Kosovës duke festuar pas ardhjes së forcave të NATO-s dhe kthimit të tyre në Kosovë, më 29 qershor 1999.

“Unë, vërtet, nuk e di se si ndjehesha, nuk më kujtohet… vetëm mblidhja informacione…”, thotë në anën tjetër Goddard.

“Të gjithë dolën në rrugë për t’i përshëndetur dhe takuar [ushtarët] gjermanë teksa kalonin nëpër Prizren. Jam i sigurt se në të gjithë kufijtë ishte njësoj. Më kujtohet lumturia e njerëzve… Më kujtohet që i kam parë edhe forcat ushtarake serbe [duke u larguar nga Kosova]… Ne i kaluam ata”, thotë Goddard.

Image
Ushtarët gjermanë të NATO-s priten si heronj nga shqiptarët e Kosovës në qytetin e Prizenit, më 13 qershor 1999.

Haviv shpreh bindjen sot se raportimi që bënë gazetarët – qofshin vendas apo ndërkombëtarë – gjatë luftës në Kosovë, ndikoi në shpejtësinë e veprimeve të fuqive të mëdha, për të ndalur luftën.

“Mendoj se Kosova është në të vërtetë një nga shembujt më të qartë të fuqisë së gazetarisë”, thotë ai.

Kosova doli nga lufta me mbi 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur, mbi 1.600 prej të cilëve janë ende të pagjetur; me mijëra të dhunuar; me mijëra të plagosur…

Fotografitë e këtyre ndodhive dhe të tjerave, Haviv i ka të përmbledhura në librin “Gjaku dhe mjalti: Një revistë e luftës në Ballkan”, që u botua në vitin 2000.

Haviv, i cili jeton në SHBA, udhëheq edhe një fondacion që ka mision transformimin e gazetarisë vizuale.

“Demokracia e vërtetë duhet të ketë një shtyp të lirë dhe të arsimuar, një shtyp që punon me integritet, që fotografitë të besohen, që audienca të besojë në lajmet që po shikon”, thotë Haviv.

Image
Libri fotografik “Lufta e Kosovës”, i autorit Wade Goddard.

Goddard sot jeton në Kroaci, ku ka të hapur një muze fotografish.

Vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës mbi 25 vjet më parë, ai i dokumentoi në librin e tij “Lufta e Kosovës”, i cili u publikua në vitin 2018.

“Gentiana 7 vjeçe dhe Donjeta Deliu 5 vjeçe u ekzekutuan bashkë me nënën e tyre mëngjesin e 26 shtatorit në fshatin Abri… Forcat serbe qëlluan gra dhe fëmijë nga afër, derisa ata përpiqeshin të iknin”, është një pjesë e përshkrimit që Goddard i vuri njërës prej fotografive që dokumenton një ngjarje të ’98-ës. /REL